Qytetarët e Hasanbegut: paraqitja, mision i pamundur; Ministria e Financave: të gjithë do të zhdëmtohen



Banorët e lagjes Hasanbeg edhe sot ankohen se mundësia për t’u vënë në kontakt me numrat e Ministrisë së Financave që të paraqesin bankën se ku do të duhet t’u paguhen mjetet për dëmet e pësuara nga vërshimet është gati mision i pamundur transmeton TVM2 .
“Jam paraqitur 1 milionë herë prej të cilave 10 herë e kam zënë linjën, deri fund kam pritur dhe askush nuk ma hapi telefonin”,- tha një banor i Hasanbegut.
“Jo, është shumë vështirë, e kam zënë linjën 5-6 herë, por askush nuk përgjigjet, më kanë mbyllur telefonin edhe atëherë kur e kamë zënë linjën”,- theksoi një banor i Hasanbegut.
“Po, e kam zënë unë linjën dhe pas 10 herë ma hapën telefonin, ua dhashë numrat e xhirollogarisë dhe tash jam duke prit”- u shpreh një banor i Hasanbegut.
Por, nga Ministria e Financave sqarojnë se të gjithë personat që janë evidentuar nga Komisioni për vlerësimin e dëmeve në rajonet e përmbytura do t’u paguhen mjetet për zhdëmtim, varësisht dinamikës së arritjes së të dhënave në Ministri.
Nga ky dikaster informojnë se afati për paraqitje nuk mbyllet sot, por i njëjti do të zgjasë derisa nuk dorëzohen të gjitha xhirollogaritë e qytetarëve të shpallur në listën e parë për dëmshpërblim.
Ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti, thotë se pavarësisht problemeve me qasjes në numrat e telefonit, të gjithë do të kompensohen.
“Procesi i vlerësimit të dëmeve thuajse është në përfundim e sipër. Kompensimi fillestar në vlerë prej 30 mijë denarëve prej sot ka filluar të shlyhet, me disa probleme për sa i përket paraqitjes së qytetarëve në numrat e telefonit. Mirëpo, edhe përskaj gjitha problemeve, besoj se gjatë kësaj jave do të dëmshpërblehen me shumë fillestare prej 30 mijë denarëve të gjithë të dëmtuarit, vlerësimet vazhdojnë të bëhen dhe shuma tjetër përfundimtare që do të përcaktohen nga vlerësimet e ekspertëve, do të shlyhen në një të ardhme shumë të afërt”,-deklaroi ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti.
Edhe në Komunën e Çairit vijon shqyrtimi i kërkesave të dorëzuara për dëmshpërblim nga banorët të cilët pësuan nga vërshimet e 6 gushtit.
“Në lagjen e Seravës nga vërshimet e fundit janë regjistruar dëme materiale, Komisioni ka dalë në terren, ka evidentuat të njëjtat, dhe qytetarët i kanë dorëzuar kërkesat e tyre dhe për këtë do të dëmshpërblehen, edhe pse kohën e fundit të gjithë kapacitetet komunale kanë qenë të koncentruara për Hasanbegun, vend i cili u ballafaqua me një katastrofë natyrore”,- theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Nga Ministria e Financave njoftojnë qytetarët se prej sot ata mund të dërgojnë edhe SMS me të dhënat e tyre, emrin, mbiemrin dhe emrin e bankës në numrin: 070 271 410, ndërkohë që mbeten në dispozicion edhe numrat e mëhershëm: 02/3255-578, 02/3255-586, 02/3255-743, 02/3255-742.
Pagesa e kompensimit është paraparë të bëhet në para të gatshme, në sportelet e bankës ku banori do të përcaktohet për marrjen e pagesës.