Qytetarët e Maqedonisë duhet të përcaktohen: a janë për shtet ligjor, apo për politikanët e korruptuar?

268
fresco

Abdulla Mehmeti

Mbrojtja e shtetit të përbashkët të Maqedonisë, me largimin nga skena aktuale e politikanëve të korruptuar, injorantë dhe shovinistë, nuk ka alternativë tjetër!

Nuk është çështja se janë gjunjëzuar dhe dorëzuar ndonjëherë shqiptarët në Maqedoni përpara padrejtësive, pushtuesve dhe sunduesve të huaj, por që janë mashtruar nga udhëheqësit e tyre të derisotëm, nga të paditurit, të korruptuerit dhe agjentët e shërbimeve të huaja sekrete, në emër të atdhetarizmit dhe me parulla boshe për liri, barazi dhe demokraci.

midle

Këtë përvojë të hidhur shqiptarët në Maqedoni e kanë paguar tepër shtrenjtë deri më sot, prandaj edhe do të ndodhin tronditje të mëdha në skenën politike, nëse edhe më tej nuk ia venë gishtin mendjes politikanët e mbështetur për muri para ndryshimeve të mëdha që po ndodhin aktualisht, pas Marrëveshjes me Bullgarinë, Marrëveshjes me Greqinë, ndryshimit të emrit të shtetit, dhe sidomos në prag të referendumit të 30 shtatorit dhe presionit serioz nga faktori ndërkombëtar për integrimin e vendit në NATO dhe BE.

Qytetarët e Maqedonisë kanë dy alternativa: të angazhohen seriozisht për ndërtimin e shtetit ligjor të së ardhmes, pa politikanë të korruptur dhe kriminelë, por me shtet modern, demokratik dhe të zhvilluar; apo duan të mbeten në gjendjen ekzistuese, me përkrahjen e strukturës së vjetër të qeverisjes, me politikanë shkurtpamës dhe të korruptuar në pushtet, por me rrezik të madh për shkatërrimin e shtetit të Maqedonisë.

Kjo e drejtë për zgjedhje mes dy alternativave nuk është më në duart politikanëve aktualë, por në duart e sovranit, të qytetarëve të Maqedonisë, të cilët do të vendosin përmes referendumit të 30 shtatorit, me ndryshimet e reja kushtetuese, dhe sidomos me votën e lirë në zgjedhjet e radhës, presidenciale dhe parlamentare, të cilat pritet të mbahen gjatë vitit të ardhshëm.

(9 shtator 2018)

Comments