Qytetarët s’duhet kurrsesi të lejojnë zbatimin e +383-shit, thotë Hamiti

Eksperti i çështjeve të telekomunikacionit, Ismet Hamiti, me përvojë të gjatë në ITU ka shprehur bindjen se me marrëveshjen e arritur në Bruksel mund të rrënohen themelet e shtetësisë së Kosovës.
Ai ka thënë se qytetarët nuk duhet kurrsesi të lejojnë zbatimin e kësaj marrëveshje. Për KTV-në ai ka dhënë një intervistë, të cilën mund ta lexoni e shikoni të plotë më poshtë.
KTV: Zoti Hamit, pse mendoni se Kosova nuk fitoi kodin telefonik?
Hamiti: Sepse ky është fakt. Kosova, për të fituar kodin e vet telefonik duhet të aplikojë. Kosova nuk ka aplikuar asnjëherë dhe nuk mund ta merr kodin e vet telefonik. Kjo që trumbetohet nëpër medie është kod i Serbisë, pronë e Serbisë, i është caktuar Serbisë, e Serbia me të bën çfarë të dojë. Me këtë rast, është pajtuar që ITU-ja t’ia japë për administrim Autoritetit Rregullator të Kosovës dhe asnjë më shumë. Nesër pasnesër Serbia mund ta caktojë dikë tjetër për administrim të këtij kodi, ta zëmë Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, dhe Kosova s’ka absolutisht asnjë gjë çfarë i bënë kësaj pune, sepse është kod i Serbisë, pronë e Serbisë. Madje është kod gjeografik, kod gjeografik që Serbia që ia cakton, siç e thotë ajo, Krahinës së vet jugore, kurse autoritetet tona ia kanë mundësuar këtë. E për çfarë, me çfarë çmimi… çmimi është jashtëzakonisht i madh, kthimi i Serbisë në Kosovë, të telekomit serb në Kosovë, ose integrimi i telekomit të Kosovës në Serbi. Kjo është çështja.
KTV: Thatë që Kosova nuk ka aplikuar asnjëherë, pse? Çka e ka penguar Kosovën që të aplikojë në ITU? A është fakti që Kosova nuk është pjesë e OKB-së?
Hamiti: Kjo absolutisht nuk ka lidhje. Janë dy mundësi. Nëse një shtet është anëtar i OKB -së atëherë mund të bëhet anëtare e ITU-së automatikisht. Nëse nuk është anëtare e OKB-së, e që ka disa nëpër botë, ekziston mundësi e aplikimit tjetër. Përralla janë ato që thonë këta se për shkak se nuk kemi qenë anëtar të OKB-së nuk kemi mundur të aplikojmë në ITU-. Kjo absolutisht është e pavërtetë.

KTV: A i është drejtuar Kosova ndonjëherë zyrtarisht ITU-së? Ju mund ta dini sepse keni qenë pjesë e ITU-së?
Hamiti: Në kohën e UNMIK-ut, janë bërë shumë përpjekje. Por të merret kodi në emër të UNMIK-ut dhe të administrohet nga kjo organizatë. Por ka pasur sabotim pikërisht nga njerëzit e UNMIK-ut, e kjo është histori e gjatë për shkak të siç dihet kontratave famëkëqija që janë lidh me Monaco telecomin e me të tjerët. Kjo ka qenë për arsye thjesht korruptive, e jo për ndonjë arsye se Kosova nuk ka mundur ta marrë kodin. Kosova ka mundur edhe sot, edhe nesër të aplikojë në ITU dhe askush nuk e pengon. Serbia në ITU e ka veç një votë. Nuk ka sistem vetoje në ITU, vendoset me sistem të shumicës dhe një lobim i mençur do të sillte numrin e votave për t’u anëtarësuar në ITU dhe për të gazuar pastaj të gjitha të drejtat që ndërlidhen, përfshirë edhe kodin.
KTV: Po ministrja Tahiri sikur na tha fillimisht se do të aplikonim përmes Austrisë. U bë apo jo ajo kërkesë?
Hamiti: Ajo është lojë për të mos thënë që Serbia aplikoi. Po cili do shtet kishte aplikuar, edhe Shqipëria do ta bënte një gjë të tillë. Kodi nukështë as i tranfesureshëm as i treguteshëm. Më thjeshtë ka qenë dhe është. Mendoj se kjo marrëveshje, në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar të zbatohet. Kjo absolutisht rrënon themelet e shtetit të Kosovës. Besoj se populli jonë këtë nuk do ta lejojë.
KTV: Në këtë rast z. Hamiti, a mendoni se kjo ka ndodhur për mungesë të njohurive të delegacionit të Kosovës, apo po i bëhet një koncesion politik Serbisë nga ana e Bashkimit Evropian?
Hamiti: Këtu s’ka lidhje Bashkimi Evropian. Kjo së pari është çështje e brendshme e Kosovës që nuk do të duhej të lidhej me asnjë diskutim me askënd. Kjo, në rastin më të mirë është bërë për shkak të injorancës, mos punës e mosdijes së autoriteteve tona, e në rastin më të keq këta e bëjnë këtë me qëllim dhe kjo nuk duhet përjashtuar. Gjithnjë e më shumë jam i prirur të besoj në këtë të dytën.
KTV: A mund të na shantazhojë Serbia në të ardhmen me këtë kapacitet që i është dhënë në dispozicion?
Hamiti: Pronari i Kodit 383 është Serbia. Si pronar Serbia është pajtuar që administruesi i kodit 383 të jetë autoriteti rregullator i Kosovës. Por në një të ardhme mund të vendosë ndryshe sepse është pronar. P.sh të vendosë që administrues i këtij kodi të jetë asociacioni famëkeq që po përgatitet. Ndërrimi i kodit është i kushtueshëm dhe teknikisht i ndërlikuar. Nuk është lehtë ta ndërrosh kodin
KTV: Ka shumë kohë që ju keni kundërshtuar ecurinë e bisedimeve. A ju ka kontaktuar shteti ndonjëherë si ekspert i telekomunikacionit?
Hamiti: Asnjëherë, asnjëherë. Absolutisht kam qenë në dispozicion. Nuk jam i vetmi. Mendoni se Kosova do të ishte në këtë gjendje sikur të ishin pyetur ekspertët. Klani Pronto udhëheq me Kosovën. Atyre nuk iu duhen ekspertë.