RADIO TELEVIZIONI ZVICERAN: BASHKËJETESA E FEVE, NJË ASET I JASHTËZAKONSHËM I SHQIPTARËVE (VIDEO)

1,002

Në fund të tetorit 2017, gazetari i RSI-së (Radio Swiss International) Matteo Tacconi, transmetoi një reportazh në Shqipëri mbi bashkëjetesën e feve, i realizuar përgjatë muajit gusht 2017, ku u shoqërua në rrugëtimin e tij, nga gazetari multimedial pranë Konica.al, Edmond Prifti.

Sipas moderatorit të emisionit që prezantoi edhe reportazhin për Shqipërinë, “Shenjat e kohës”, Paolo Tognina: “Shqipëria ka njohur një nga regjimet më represive komuniste, në Evropën Lindore. Nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, mijëra njerëz humbën lirinë e tyre, por edhe jetën. Atë fat pësoi edhe feja, – praktikisht, duke fshirë çdo gjurmë të saj. Po cili është roli që kanë komunitetet fetare sot, në shoqërinë shqiptare? Ky është një debat i hapur nga RSI, në kuadër të transformimit tradicional ku gratë nuk mund të bëjnë lutje, e që ato drejtohen veçse nga meshkujt. Debate brenda islamit, ku shfaqen zëra se, grave mund t’iu japin rolin e mundësinë për të luajtur rolin e imamit. Ky debat është aktualisht një temë “e nxehtë”, në Zvicër”.

I pyetur nga Konica.al, gazetari italian i RSI-së, Matteo Tacconi është shprehur:

“Besoj se, tashmë bashkëjetesa dhe toleranca e fesë në Shqipërisë, është vlera më e madhe që ai vend ka në Evropë; një histori suksesi dhe asgjë false. Për mua janë fakte të një bashkëjetese reale dhe janë në rrënjët e një jete të përditshme. Besoj se, bashkëjetesa e këtyre feve ka një dialog mes tyre; ku brenda kontekstit, ato mund të shihen edhe në rrugët e Shqipërisë, apo duke folur me njerëzit, – të cilët, nuk flasin kundra feve të tjera. Njerëzit në Shqipëri, nuk mendojnë ju jeni orthodhoks dhe ju nuk më pëlqeni, apo mysliman dhe nuk më pëlqeni…”.

“Pra, feja në Shqipëri, nuk është diçka që i përcakton njerëzit! Besoj se etërit shqiptarë, ata që krijuan shtetin shqiptar, janë pikërisht ata që përcaktuan fatin e atij vendi, ku nuk i dhanë një rol politik apo divergjenca sociale feve, çka është tejet e rëndësishme”.

“Punova së bashku me Edmondin, ku edhe vajtëm në Derven e takuam njeriun që ishte mysliman dhe punonte në kopshtin e kishës; apo një mysliman që ishte i biri i një babai që fshehu hebrenjtë, gjatë periudhës fashiste dhe asaj naziste. Apo shembulli i Manastirit në Laç, ku shkojnë njerëz me besime të ndryshme, si myslimanë, ortodoksë apo bektashinj. Pra, është diçka e veçantë që nuk ndodh askund në Evropë dhe Shqipëria duhet të insistojë ti ngre edhe më lart këto cilësi që ka, që të njihet ngado në Evropë dhe botë, si një aset i jashtëzakonshëm i popullit shqiptar”.

Përreth reportazhit

Reportazhi i Tacconi-t, foli gjerësisht për bashkëjetesën e feve në Shqipëri, apo të ashtuquajturit “model shqiptar” që për ne, por edhe për të huajt, është një nga virtytet më të mira shqiptare.

Ndër të tjerash do të ndiqni përgjatë këtij rrugëtimi përmes reportazhit të realizuar nga Konica.al në gjuhën shqipe, intervistat me liderët e feve në Shqipëri, por edhe materiale të tjera interesante, – si rasti i fshatit të Dervenit, – ku kishat u ndërtua nga komuniteti mysliman i zonës, apo edhe ajo për Kishën Evangjeliste të Korçës, – që përpos anës shpirtërore është çelur edhe një qendër sociale; për ardhjen e parë në Shqipëri të Hirësisë së tij Anastas Janullatos; si dhe klerikë të tjerë, ashtu si Dorian Demetja, i cili në rolin e klerikut zyrtar të Komunitetit Mysliman, shpjegoi bashkëjetesën e fortë midis feve në Shqipëri, ndonëse “në fillesat e tyre shqiptarët ishin ortodoksë”.

Në pjesën e fundme të këtij reportazhi, do të ndiqni gjithashtu një rrugëtim pas në kohë, kur Shqipëria u pushtua nga nazistët dhe hebrenjtë, më se 2000 të tillë, u shpëtuan nga shqiptarët.

Reportazhi, në kuadër të ciklit “Shenjat e kohës”

“Shenjat e kohës” është një program i RSI-së i prezantuar nga Paolo Tognina, – çdo të shtunë, – apo siç konsiderohet nga ata vetë, “një adresar javor evangjelik, i vëmendshëm ndaj asaj që ndodh në fe dhe shoqëri që synon të intrigojë aspektet fetare të së tashmes”.

Programi bazohet në fe, anën shpirtërore, etikën dhe të drejtat e njeriut, – duke ofruar lajme, reportazhe, të reja dhe komente nga bota evangjeliste zvicerane, por edhe ajo evropiane.

Realizoi materialin: Matteo Tacconi; Asistent/Përktheu dhe përshtati tekstin në shqip për Konica.al: Edmond Prifti; U prodhua më: Tetor 2017; Gjithë të drejtat i rezervohen: RSI

http://www.realoteti.com/wp-content/uploads/2017/12/Modeli-unik-i-bashkëjetesës-së-feve-në-Shqipëri-Matteo-Tacconi-RSI.mp4?_=1

http://www.realoteti.com/wp-content/uploads/2017/12/Modeli-unik-i-bashk%C3%ABjetes%C3%ABs-s%C3%AB-feve-n%C3%AB-Shqip%C3%ABri-Matteo-Tacconi-RSI.mp4?_=1

Comments