Rama paralajmëron BE-në për rrezikun që i kanoset Ballkanit nga Rusia dhe islami radikal


Rusia dhe militantët islamikë do të mund të provojnë të shtojnë ndikimin e tyre në vendet e Ballkanit nëse Bashkimi Evropian nuk i merr këto vende në gjirin e saj, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë të publikuar të mërkurën.
Rama ka thënë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se është në interes të BE-së të provojë dhe t’i sjellë në gjirin e saj shtetet e Ballkanit.
“Nëse dëshirojmë të kemi një Bashkim Evropian të sigurt dhe të qetë dhe me të një Evropë të sigurt, nuk është mirë nëse ka vrima”, ka thënë Rama për gazetën, raporton Reuters.
“Veç kësaj, ne nuk duhet të harrojmë se ka edhe akterë tjerë, të tretë, që po i luajnë lojërat e tyre dhe që do të mund të përfitonin nëse BE-ja lë vakuum atje”, ka thënë ai.
“Po flas për Rusinë, por po flas edhe për islamin radikal”, shtoi ai, transmeton Koha.net.
Vendet e Ballkanit janë në sandviç mes shteteve anëtare të BE-së, Greqisë dhe Hungarisë. Kroacia dhe Sllovenia veçse i janë bashkuar NATO-s dhe BE-së, ndërsa Serbia, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria që të gjitha synojnë anëtarësimin në BE.
Që të gjashta vendet ballkanike janë në faza të ndryshme drejtë anëtarësimit në BE. Serbia synon të përfundojë bisedimet për anëtarësim më 2019. Megjithatë, zgjerimi me shtete të reja ka rënë nga lista e prioriteteve të BE-së.
Diplomatët në rajon kanë thënë tash e një kohë se Rusia po tenton të rris ndikimin e saj në vendet si Mal të Zi, Serbi, Maqedoni e tani edhe në Shqipëri.
Rama tha se vendi i tij do të vazhdojë të ecën përpara drejt anëtarësimit në BE, por ka shfaqur dyshime në aftësinë e bllokut për pranimin e anëtarëve të rinj.
“Nuk po flasim këtu se edhe sa kohë na duhet neve, por për atë se si do të vazhdojë Bashkimi Evropian të zhvillohet. Në ndërkohë, politikisht jemi në formë të mirë, por jo edhe Bashkimi Evropian, në këtë kohë”, ka theksuar Rama.