Opozita e la sallën pas tensionit që e shoqëroi në nisjen seancën e sotme parlamentare dhe pasi kreu i tyre Lulzim Basha ia tha në sy ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj se ka mbrojtur vëllain e tij trafikant droge në Italia nga arrestimi.
E teksa në sallë u rikthye qetësia, fjalën e mori kryeministri Edi Rama i cili ironizoi transmetimin në Facebook të fjalës së Bashës e Berishës duke e cilësuar një garë tollovie.
“Kryetari i PD dhe lideri legjendar garuan secili në ekranin e mbrokullës së vetë dixhitale se kush shan, shfryn dhe lëshon më shumë baltë nga goja. Dhe për fat të keq u larguan pa pritur të dëgjojnë atë që u takon , qoftë për rastrin në fjalë, qoftë edhe për atë çka shihet zbuluar në këtë orvatje të re historie”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë “nuk ka asnjë kërkesë nga Italia për 6 vjet me radhë” për arrestimin e vëllait të ministrit Xhafaj.
Për Ramën është e qartë se opozita do ta bëjë baltë Shqipërinë para qershorit kur merret vendimi për çeljen ose jo të negociatave.
“Duan të helmojnë sa të munden gjakun dhe mendjen e çdo personi në çdo parlament të vendeve kyçe që janë skeptikë për vendimin, që janë të interesuar për të thënë jo”
Më tej ai shtoi se të huajt e interesuar për integrimin e Shqipërisë e kanë pyetur se “si ka mundësi që sot kur presim që politika shqiptare të provojë çdo ditë argumentin për negociatat na vënë përpara një dosje qe e kemi analizuar?”.
“Kjo ishte pyetje e të huajve për mua që të përgjigjem për këta. Që janë edhe gjaku jonë këta”, tha Rama.

