Dhe sikur të mos mjaftonte nisma për shkarkimin si dhe injorimi për ftesën për dialog, kryeministri Edi Rama nuk ka nguruar të thotë hapur dhe për mediat e huaja atë që ai mendon për Presidentin e Republikës.
Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa” kreu i qeverisë është shprehur se me dekretin për anulimin e 30 qershorit Ilir Meta firmosi vetëvrasjen e tij politike.
Rama: “Kemi një traditë të brishtë për institucionet pas 50 viteve diktaturë, që na kishte transformuar në Korenë e Veriut të Europës. Duke mos i shtyrë zgjedhjet mbrojta demokracinë. SHBA dhe BE e kuptuan”.
Kryeministri ka treguar arsyen se përse nuk ra dakord për të shtyrë zgjedhjet e 30 qershorit, duke argumentuar se gjithcka u bë për të mbrojtur demokracinë duke harruar se në listën e kanidadëve në shumicën e bashkive kishte vetëm një kandidat.
Rama: ”Shqiptarët që shkuan të votojnë shpëtuan vendin. Ishte në rrezik shteti i së drejtës. Nuk ishin zgjedhje vetëm për kryetarët e bashkive, kishte një rrezik shumë të prekshëm për përleshje. Nuk pati të tilla, sepse nuk ishte populli që i donte ato”.
Një falenderim dhe vlerësim për shpëtimtarët e vendit, Edi Rama nuk e kurseu për ata që zgjidhën të shkonin në kutitë e votimit.
Rama: ”Po zhvillohet një procedurë ‘impeachment’ për Illir Metën, do të shkarkohet nga Parlamenti për shkelje të rëndë antikushtetuese. Duke mbështetur bojkotimin e zgjedhjeve, dekretoi vetëvrasjen e tij politike duke shoqëruar drejt harakirit të gjithë opozitën”.
Kreu i qeverisë u tregua i prerë kur u pyet për mundësine e zgjedhjeve të parakohshme.
Rama: ”Jo. Opozita nuk mund të marrë peng maxhorancën”.
Ndërsa për veshjen e tij ditën e votimeve tha se ishte i pari që kombinoi atletet me kostum dhe sot është kthyer në modë.