Shenasi Rama i ftuar në Dritare me Rudinën në Vizion Plus u shpreh: “Rënia e Komunizmit ka qenë një mësim i madh që ne kërkojmë të mos përsëritet më, me këtë përmbysje tjetër që do të vijë shumë shpejt në Shqipëri.
Ne në vitin 1990 kemi kërkuar që të ruajmë atë që kishim, të ruanim burimet njerëzore, materiale. E kam thënë edhe në mediet e huaja në atë periudhë, në intervistat e mia kam thënë: Ne si komb këtë radhë kemi një shans që të mos përsëritim gabimet e vendeve që pamë në vitet 89-90.
Përgjegjësi në radhë të parë për atë që ndodhi, mban Ramiz Alia që ishte koka e shtetit, e pas tij të gjithë ata që ishin pjesë e kupolës, Byroja Politike, Komiteti Qendror, profesorati, intelektualët.
Përgjegjësi mbajnë edhe ata që e morën, të cilët kishin një problem të jashtëzakonshëm. Një palë ishin palaço si Gramoz Pashko, që dolën me teorinë e Çekut të Bardhë dhe njerëzit lanë punën.”
Ndërsa drejtuesja e emisionit i kujtoi se Pashko ka vdekur, Rama u përgjigj: “Ai ka vdekur, por vdekja nuk e ka bërë më të mirë, vetëm e ka hequr nga kjo botë. Për të vdekurit nuk flitet kur nuk bëjnë gjëra të këqija, por kur të vdekurit kanë bërë gjëra të llahtarshme, që e kanë çuar këtë vend në këtë gjendje shkatërrimtare. Ata të vdekur, ka popuj që i nxjerrin nga varret, por ne s’kemi pse shkojmë deri atje. Por përgjegjësitë historike dhe politike nuk shmangen me vdekje.