Rama shpreh ngushëllimet pas tërmetit tragjik: Një ditë e trishtueshme për Italinë mike


Kryeministri Edi Rama, me anë të një statusi në Facebook ka shprehur ngushëllimet për viktimat e tërmetit tragjik në Itali.
“Një ditë e trishtueshme për Italinë mike! Ngushëllimet më të ndjera për viktimat e tërmetit e solidaritet vëllazëror me popullin e qeverinë”, shkruan Rama.
Totozani: Dhimbje për humbjen e jetëve
Edhe Avokati i Popullit Igli Totozani, shprehu dhimbjen për humbjen e jetëve njerëzore, pas tërmetit shkatërrues në Italinë fqinje.
Totozani po ndjek me shqetësim operacionet e shpëtimit, si dhe çdo informacion që lidhet me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në zonat e prekura nga ky tërmet shkatërrues, në Italinë qendrore.
Avokati i Popullit konfirmon ndjenjën më të lartë të solidaritetit për popullin Italian dhe qeverinë e këtij vendi, në këto momente tejet të vështira, duke inkurajuar operacionet e shpëtimit, si dhe duke qenë pranë me humanizëm njerëzor për çdo familje që ka humbur të dashurit apo ndodhet nën makthin për të gjetur ende gjallë nën rrënoja të afërm e të dashur.
24 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)