Rama: Si mund të jem i kënaqur kur ka shumë njerëz në kthetrat e varfërisë



Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me ushtarakë në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, duke sqaruar se pse nuk është i kënaqur me qeverisjen. Rama tha se nuk mund të ishte i kënaqur kur kaq shumë njerëz janë ende në kthetrat e varfërisë.
“Patjetër që ka shumë arsye për t’u ndjerë krenar për çfarë kemi bërë, por fjala kënaqësi është shumë e madhe nëse do të marrim parasysh pikën nga u nisëm në pikën ku duhet të mbërrijmë. Si mund të jem i kënaqur kur ka kaq shumë njerëz janë ende në kthetrat e varfërisë. Janë rreth 1 miliardë dollarë që shkojnë në xhepat e familjeve në formën e mos marrjes së taksave dhe së fundi me rritjen e rrogave.
Si mund të jemi të kënaqur në qoftë se sot dhe gjithë ditën, fëmijët shqiptarë janë të kërcënuar nga alfabetizmi. Patjetër që nuk është pak që sot Shqipëria të mos jetë duke e ndjekur nga pas gjithë zinxhirin e korrupsionit por të jetë në një betejë të gjithanshme kundër korrupsionit. Jo vetëm nuk është sekret, por nuk ka shqiptarë që nuk e di, që ende sot nuk është e sigurt që të marrësh një shërbim nga shteti dhe të mos paguash” – deklaroi Edi Rama.
Duke u ndalur tek ushtarakët, Rama përmendi pagat që duhet të ktheheshin mbrapsht që prej vitit 2009, por që sot u është hequr një barrë e tillë.
“Në qoftë se e krahasojmë të sotmen me të djeshmen qoftë për ju ushtarakët që humbët pensionet e parakohshme dhe që prej vitit 2009, mbanin në kurriz barrën e një detyrimi për t’i kthyer para shtetit. Sot ua kemi hequr këtë barrë nga shpina. Patjetër është një arsye për t’u ndjerë krenar, por jo të pakënaqur” – përfundoi Rama.