Rama: Sot të ulemi për të ardhmen, loja të marrë fund!

299

“Gati t’i plotësojmë një për një kërkesat e studentëve, por duhet një dialog me studentët në sy të publikut, për universitetin”, tha kryeministri Rama në vijim të fjalës së tij gjatë seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, duke shtuar se fton këdo që është i interesuar dhe i sinqertë të dialogojë.

Rama i ftoi studentët dhe palët e interesuar edhe në sallën e Parlamentit madje, për të diskutuar mbi 8 pikat e tyre por edhe më shumë sesa kaq. “Opozita reale e vendit sot janë ata studentë që kanë vendosur të ngrenë krye kundër një sistemi brenda universitetit që ka vendosur t’i marrë peng ata”, tha kryeministri.

Ai tha se studentët i kanë dhënë shuplakë qeverisë për të hapur sytë dhe për t’u fokusuar më shumë tek ajo çfarë ndodh brenda universiteteve.

“Unë jam i gatshëm të diskutoj me ta, jo për të mbyllur protestën, sepse ajo i ka rrënjët shumë më thellë te burimet e sëmundjes së universitetit, që autonomia e shumëkërkuar dhe e dhënë për herë të parë nga shumica socialiste i ka mbuluar, duke mos lejuar kurimin e tyre”, tha Rama.
Edhe pse është e lehtë të zgjidhet si një çështje kërkesë-ofertë, Rama theksoi se këtu duhet hapur një proces për plotësimin e pikave, një për një.

“Ata që erdhën këtu si përfaqësues të opozitës së bashkuar, që nuk guxon të mbështesë protestën studentore sepse do t’i njolloste ata, janë pjesë e një opozite që vrapon për t’u futur mes jelekëve portokalli tek Astiri, që nuk ka guxim t’u thotë studentëve bëhemi me ju, sepse e hanë mbrapsht flakërimin, sikundër askush nuk do ta dëshironte në politikë”, deklaroi më tej Rama.

Por çfarë fshihet pas bllokimit të dialogut dhe propagandës së shfrenuar që investohet nga ndërmarrja e doktoreshës dhe nga SHQUP-i apo profesor Qorri?

“Fshihet nga njëra anë qëllimi që kërkesat të mos zgjidhen dhe studentët të futen në qorrsokak. Kjo opozitë ka muaj e vite që kërcënon me kaos, me djegie të Tiranës, e me shumë gjëra të tmerrshme. Ndaj unë refuzoj t’i konsideroj këto pika sikur janë një porosi në dyqan”, tha kryeministri.
Ai bëri thirrje që sot duhet të marrë fund kjo lojë dhe të gjithë të ulen të diskutojnë për të ardhmen, duke i quajtur për turp ata që bëjnë thirrje që studentët të mos flasin me kryeministrin, se nuk ka për t’i dëgjuar.

Comments