Edi Rama nuk i ndahet Vlorës. Njësoj si 4 vjet më parë, Kryeministri i Shqipërisë ka thirrur në një takim informal kabinetin e ri qeveritar, pasi e bëri atë publik një ditë më parë. Më konkretisht, mbledhja e njoftuar për orën 17:00 do të mbahen në një prej restoranteve në zonën e Llogarasë.
Takimin e paralajmëroi nga mbledhja e asamblesë kryesocialisti, ku mesa duket nuk dëshiron të humbasë kohë, por të nisë menjëherë punën. “News 24” raporton se në takim do të jetë i gjithë kabineti i sapoemëruar, kryetari sapozgjedhur i parlamentit, Gramoz Ruci dhe kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla.
Në fokus do të jetë finalizimi i punës për programin e qeverisë, draft-planin e ministrive që do t’i paraqiten grupit në mbledhjet e para. Po ashtu, me kryetarin e asamblesë dhe të grupit parlamentar do të finalizohen propozimet për ekipin drejtues të grupit dhe të komisioneve parlamentare.
Kryeministri Edi Rama nga Asambleja e PS-së dje konfirmoi atë çka u përfol më herët. Tashmë qeveria do të ketë një kabinet më të vogël, duke shkrirë kështu disa ministri.
“Struktura e re e qeverisë do ndryshojë. Defektet e mandatit të parë, por edhe sfidave të këtij mandati çojnë që na duhet një qeveri më e vogël dhe më bashkëvepruese”, tha Rama, shkruan shekulli.