Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar si të tmerrshme faktin që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdojnë të mbahen në Hagë nën akuzën për krime lufte, edhe pesë vjet pas arrestimit. Ai në një shkrim në Facebook ka akuzuar edhe “tifozët te verbuar” politikë, që sipas tij, edhe mbrapa hekurave e trajtojnë ish-presidentin Hashim Thaçi si armik politik.
“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga shinat mbi të cilat u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!” ka shkruar Rama fillimisht duke publikuar një fotografi të Thaçit me ish-gjeneralin amerikan që udhëhoqi forcat e NATO-s gjatë fushatës ajrore kundër Serbisë më 1999, e që do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Rama është marrë edhe me komentuesit, që sipas tij, po urojnë që Thaçi të mos dalë kurrë nga burgu.
“Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, e urojnë të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar ai.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi ndodhen ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.Së fundmi në Kosovë, Hagë e Shqipëri ka pasur protesta në kërkim të drejtësisë. Ato u përkrahën publikisht nga Rama.

