
“Nuk kemi asnjë mundësi të presim asnjë sekondë për të filluar zbatimin e “Vetting”-ut. Kështu u shpreh nga Vlora, kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me studentët e Universitetit “Ismail Qemali”. Duke shpjeguar me shembuj konkretë abuzimet e gjykatave shqiptare në vendimet e tyre, Rama tha se pa reformuar drejtësinë nuk mund të ketë shtet të sigurt.
“Kush thotë të kundërtën, ka një arsye shumë të fortë për të mbajtur anën e atyre që për një sekondë duhet të fshihen nga sistemi i drejtësisë. Nuk ka asnjë arsye më të madhe sesa mund të kontribuosh për të pastruar pallatin e drejtësisë sesa të bësh politikë. Gjykatat po lëshojnë në rrugë kriminelët”, u shpreh kryeministri.
Reformimi i drejtësisë sipas kryeministrit është domosdoshmëri edhe hapja e derës së investimeve, ku veçon se gjykatat janë ato që kanë kthyer pas projektet e mëdha që kanë trokitur për Shqipërinë.
“Na dolën pronarë në det dhe bllokonin investimet se thoshin se ishin pronarë, dhe ata u bënë nga gjykatësit. Një karburant në Lungomare është ndaluar të shpronësohet për interes publik nga një prokuror. Në çdo metër në rrugën e ndërtimit të Lungomares kemi hasur probleme të tilla. Edhe sot që ka ardhur ora e fundit, ka një forcë që i mbron këta njerëz, e kanë marrë fuqinë e tyre të pakontrolluar për të mbajtur të mbyllura kapakët e pusetave të zullumeve të këtyre viteve”, deklaroi ai.

