Ramadani: Ushtria jonë po ushqehet ashtu siç vetëm armiku gëzohet
Ish-inspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka shprehur shqetësim në lidhje me cilësinë e ushqimit për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në një postim në Facebook, ai ka theksuar se ushqimi i ofruar është i papërshtatshëm dhe se kjo situatë është e dëmshme për sigurinë e shtetit.
“Ushtria jonë sot po ushqehet ashtu siç vetëm armiku gëzohet. Ushtarët nuk janë lypsarë; ata janë krenaria e shtetit tonë,” ka shkruar Ramadani.
Ai ka shtuar se ndonëse mund të shpenzohen para në hotele luksoze për aktivitete politike, ushqimi i dobët për ushtarët është një mallkim për sigurinë kombëtare.
“Tash, jepjani një fjalim të zjarrtë patriotik e sakrifikues nga hoteli me 5 yje këtyre ushtarëve të kequshqyer,” ka thënë ai.
Kjo çështje ka ngjallur reagime të shumta në opinion, ndërsa nga FSK kanë deklaruar se ushtarët po ushqehen në përputhje me protokollet e përcaktuara.