Ramkovski rikthen HEDIS marketet
Fillimisht nuk është planifikuar të ketë prodhimtari, por vetëm mbështetje ndaj prodhuesve vendorë, prodhimet e të cilëve do të jenë të përfaqësuara në marketet me çmime më të ulëta të aksioneve
Velija Ramkovski nga fillimi i vitit të ardhshëm planifikon t’i kthejë “HEDIS” marketet në tregun e Maqedonisë. Pritet që numri i tyre të arrijë deri përafërsisht 1.000 markete nëpër gjithë vendin. Fillimisht nuk është planifikuar të ketë prodhimtari, por vetëm mbështetje ndaj prodhuesve vendorë, prodhimet e të cilëve do të jenë të përfaqësuara në marketet me çmime më të ulëta të aksioneve. Këtë, për POST.MK e konfirmoi vetë Ramkovski i cili pret rifillim të suksesshëm të biznesit të tij në vend.
“Planifikojmë që marketet nën logon ‘HEDIS’ të startojnë që nga fillimi i vitit të ardhshëm. Në vitin 2010 numri i marketeve tona ishte 1.270, ndërsa tani pres që të kemi rreth 1.000. Nuk do të ketë prodhimtari, por do ta përkrahim prodhimtarinë vendore. Tashmë jemi duke biseduar për bashkëpunim me kompanitë vendore”, deklaroi Ramkovski.
Në rrjetin social Fejsbuk tanimë qarkullon lajmi për “come-back” të madh të HEDIS marketeve në vend.
“HEDIS marketet e bashkuara përsëri janë pranë jush. Duke përfshirë edhe vitin 2010, nën brendin HEDIS ishin bashkuar rreth 1.267 markete në gjithë Maqedoninë. Në periudhën deri më 23.10.2017 përsëri u bashkuan 457, ndërsa deri në fund të muajit nëntor pritet të bashkohen rreth 1.000 markete. Nga fillimi i vitit 2018, HEDIS prodhimet, të cilat janë prodhime me cilësi standarde dhe me çmime më të ulëta, përmes aksioneve të ndryshme të cilat do të reklamohen në emisionet më të shikuara në televizionet ekzistuese dhe përmes mediumeve digjitale, prapë do të jenë të qasshme për konsumatorët”, shkruan në publikimin me të cilin thirren të gjithë pronarët e interesuar të marketeve që të bëhen pjesë në këtë proces bashkimi.
Ramkovski, para pak kohe u lirua nga burgu përkohësisht, për shkak të shërimit të tij. Në intervistën e parë që e dha ndaj fundit të verës, ai theksoi se ka ndërmend ta ristartojë edhe televizionin “A1”, të cilin u mbyll pas zgjedhjeve të vitit 2011.