Ramushin e tradhetuan lotet?!

813

Ramushi ka filluar të bëhet më i ndjeshëm. Ai që dikur dukej i pathyeshëm, më i fortë se guri, sot e ndjen barrën e jetës dhe të kujtimeve që e kanë goditur familjen e tij brez pas brezi. Mbrëmë qau. Dhe nuk qau për veten. Qau për dhimbjen e nënës. Për një dhimbje që nuk matet me fjalë, as me vite, as me histori.

Madje, ndërsa ai i lejon vetes të tregojë njerëzoren, ka edhe nga ata te “VV” që, pa asnjë ndjeshmëri, pretendojnë se Haradinaj po i “keqpërdor” lotët e nënës së tij për fushatë zgjedhore. Por kush e njeh historinë e kësaj familjeje, e di se këto lotë nuk janë politikë — janë plagë, janë kujtime, janë varre të hapura në shpirt.

Nana Ruke është një nënë e vrarë në zemër shumë herë. Ajo i varrosi Luanin në ditët më të errëta të luftës. Pastaj Shkëlzenin, djalin që i ishte krah e zemër. Pastaj humbi nënën Aze së bashku me gjyshen — nënën e Lahi Brahimajt dhe gjyshen e Gazmend Sylës — të copëtuara në mbi 100 pjesë me sëpatë nga duart e krimit serb. Një mizori që edhe sot e trondit këdo që e dëgjon. Dhe pastaj Enverin… një humbje pas tjetrës, derisa dhimbja e saj u bë legjendë.

Megjithatë, pavarësisht çfarë i mori jeta, nana Ruke nuk u dorëzua. Ajo u ngrit mbi humbjen, mbi varret, mbi plagët, dhe u bë shtylla e familjes, frymëzimi i shokëve të djemve të saj dhe simbol i qëndresës së një populli që nuk pranoi të zhdukej.

Nana Ruke nuk është vetëm nëna e Ramushit e Dautit. Nuk është vetëm nëna e Luanit, Shkëlzenit dhe Enverit. Ajo është nëna e të gjithë neve. Është nëna e dhimbjes sonë të përbashkët, e sakrificës më sublime, e humbjeve që na kanë formuar dhe e fitores që na ka bashkuar.

Ajo është nëna që e pagoi lirinë me më shumë se jetë njerëzore — e pagoi me shpirtin e saj.

Nënë kanë të gjithë. Por nanën Ruke… nanën Ruke nuk e kanë të gjithë.
Ajo është një, e pazëvendësueshme, dhe e pavdekshme në kujtesën e popullit.|Faktiditor.info – S.S |

Comments