Rastet e PSP-së, caktohen gjykatësit e lëndëve

210

Aktakuzat për dhunën në Komunën e Qendrës dhe për shkatërrimin e dokumentacionit për përgjim që Prokuroria Publike Speciale i dorëzoi në Gjykatë, janë shpërndarë tek gjykatëset, Tatjana Mihajlovska dhe Lidija Petrovska.

Gjykatëset kanë marrë lëndët sipas sistemit elektronik për shpërndarje. Emrat e dy gjykatëseve nuk janë të panjohura për opinionin.

Tatijana Mihajllovska është gjykatësja që e dënoi gazetarin, Tomisllav Kezharovski, me 4 vjet e gjysmë burg, ndërsa emri i gjykatëses, Lidija Petrovska, është dëgjuar në të ashtuquajturat “bomba” të opozitës. Jozyrtarisht, Mihajlovska do të duhet të gjykojë për dhunën në Komunën e Qendrës, ku ish kryeministri, Nikolla Gruevski, dhe ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, dhe tre persona tjerë akuzohen se janë porositës të dhunës në Komunën Qendër, por edhe dy persona tjerë që akuzohen se janë realizues të veprës në korrik të vitit 2013.

Gjykatësja, Lidija Petrovska, do të marrë rastin kundër ish eprorit të Njësisë së pestë në MPB, Goran Grujoski, dhe gjashtë të punësuar tjerë në Drejtorinë për falsifikim të dokumenteve zyrtare, për arsye se në mënyrë kundërligjore kanë djegur 2.407 dokumente zyrtare, prej të cilëve 22 kanë të bëjnë me përgjimet e palejuar.

Për të dyja veprat penale dënimi maksimal është deri në 5 vite burg, ndërsa datat për gjykimin nuk janë caktuar.

Ndërkohë, Specialja ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për ndërprerjen e  masës arrest shtëpiak për kryetarin e Komunës së Manastirit, Vlladimir Talevski. Nga Prokuroria Speciale do të ankohen ndaj këtij vendimi.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit është theksuar se arresti shtëpiak ndërpritet dhe përcaktohet masa e kujdesit, dhe obligimi që të paraqitet çdo të hëne dhe të premte tek nëpunësi zyrtar i autorizuar në Gjykatën Themelore në Manastir.

Comments