Rasti i “Sopotit”: Sopotasit e akuzuar pa faj, mallkojnë pushtetin
Mallkim, dëshperim, lot edhe pas 14 viteve të ngjarjes së Sopotit, ku 12 të dënuarit shqiptar vazhdojnë të zvarriten nëpër gjykata, edhe pse në bombat e opozitës, vitin e kaluar, u dëshmua pafajësia e tyre. TV SHENJA ka vizituar edhe sot disa nga familjarët, vetëm disa ditë pas publikimit edhe të një përgjimi tjetër, ku deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, flet me ish-ministren e brendshme Gordana Jankullovska që përmes prokurorit Marko Zvërlevski tu vendosur paraburgim sopotasve. Sulejman Sulejmani, ose siç e thirrin të gjithë, “Baca Sylë” mallkon politikanët në vend, që edhe pasi e vërteta doli në shesh ata ende nuk ndërmarrin asgjë.
“PO KËTA, ALLAHU MOS I DUROFTË, KËTA ZOTI MOS I DUROFTË BRE BIRË, INSAN MË TË KËQIJ NË BOTË NUK KA. SE KUR E DIN NI PUNË KUR E DIN QË NUK ËSHTË KËRKUND, PSE E MBAN NJERIUN VJERRË, PSE E MBAN NJERIUN ME DERTE, DERT ËSHTË”, DEKLAROI SYLEJMAN SYLEJMANI (BACA SYL) PËR TV SHENJA.
Ndërsa, Samet Lutfiu, thotë se u vjen mirë që vazhdimisht po dalin dëshmi të reja. Ai deklaron se kanë humbur shpresat tek politikanët shqiptarë.
“NE E DIJMË QË JEMI TË PAFAJSHËM, POR S’KE ÇKA BËN, BADIHAVA, VEÇ ME U TRANU, KUJT ME I THËNË, S’PO KA KUSH ME NA DAL NË KRAH, KY ËSHTË PROBLEMI, BOLL PO FLAS POR BADIHAVA, KREJT E NJËJTA PO SHKON. PARTITË TONA PO SHUAJNË, PËR ÇKA I KA ZGJEDH POPULLI?”, THA SAMET LUTFIU.
Samet Lutfiu, ka kërkuar nga Prokuroria speciale që të zbardh rastin sa më shpejtë, ndërsa nga deputetët shqiptarë të mbështesin ligjin për dëshmitarët e fshehtë.
“MË SË SHUMTI DËSHIROJMË QË TA MARRË RASTIN PROKURORIA SPECIALE, TË ZBARDHET RASTI MOS TA PENGOJNË, DHE I KISHA LUT SHQIPTARËT QË MARRIN PJESË NË PARLAMENT, MOS TA PENGOJNË LIGJIN PËR DËSHMITARËT E FSHEHTË QË TË MOS ZBARDHET RASTI”, DEKLAROI SAMET LUTFIU PËR TV SHENJA.
Sopotasit shprehet tërësisht të lënë pas dore nga politika shqiptare. Siç thotë baca Sylë dhe Samet Lutfiu, edhe pse e vërteta për opinionin për çdo ditë është më e qartë, zvarritja e tyre nëpër gjykata vazhdon, sidomos me fillimin nga e para të procesit gjyqësor. Madje, në kushte të vështira ekonomike, kjo rëndon edhe me tepër në xhepin e tyre.
“SHKOJMË NJË HERË NË GJYQ, NDËRROHET PROKURORI, TANI NË TË 15-IN KUR KEM U NDËRRU GJYKATËSI, TASH DUHET ME JA NIS PËRSËRI PREJ NË FILLIM”, THA SAMET LUTFIU.
“NUK JE I REHATSHËM, EDHE DY JAVË NË DY JAVË, PO KANIHER EDHE SPO QËLLOJNË EDHE PARATË, VALLA EDHE HAPAT DUHET ME I MARRË”, DEKLAROI BACA SYLË.
Heshtjen e partive shqiptare, sopotasit e quajnë si tallje me to.
“ATO FAKTIKISHT PO LUAJNË ME NEVE, VET MAQEDONT PO I ÇESIN SE QYSH ËSHTË PUNA, KËTA VEÇ SHUAJNË, PO I PËRKRAHIN ATA INSTITUCIONE PËR MOS ME U ZBARDH RASTI, FAKTIKISHT ATA PO I PËRKRAHIN PËR MOS ME U ZBARDH RASTI. SIGURISHT KA SIÇKA KËTU, OSE JAN TË PËRZIM OSE DIÇKA KA”, DEKLAROI SAMET LUTFIU.
“DITËN E BËJNË PUNËN NË SHKUP, NATËN NË RUSI MENDEN, DËGJOJE MIXHËN SYLË, ISHALLA MË FURRIN, SE PA ME MË FURR ZOTI, SMUNDET INSANI, KËSHTU KËTA JANË KREJT. INSHALLA I VJEN RENDI EDHE KËSAJ, ZOTI ËSHTË I MADH, KEMI KU JAPIM XHEVAP, KY GJYQ NUK ËSHTË ASGJË, AI TJETRI KUR DO TË VDESIM. ATJE XHEVAP KUSH KA ME DHËNË”, THA BACA SYLË.
Seanca e fundit gjyqësore për rastin e Sopotit u anulua, ndërsa është ricaktuar për më 18 tetor, por Baca Sylë, Samet Lutfiu, Shaban Limane dhe të dënuarit e tjerë, vazhdoj të mbesin të pashpresë se drejtësia do të mbyll njëherë e përgjithmonë çështjen e tyre.