
Kanë përfunduar seancat e mbyllura për rastin “Lagja e trimave”, ku bëhej dëgjimi dhe leximi i bisedave të përgjuara.
Avokatët mbrojtës njoftojnë se në seancën e ardhshme fjalën kryesore do ta ketë mbrojtja, e cila do të prezantojë dëshmitë, të cilat supozohet se do të ndikojnë në zbardhjen e të vërtetës rreth këtij rasti, por edhe do të propozojnë dëshmitarë në mesin e të cilëve do të thirren edhe politikanë dhe ish funksionarë të organeve të sigurisë.
“Ne si avokat kemi plan të përbashkët, kemi pasur disa takime të përbashkëta dhe në fillim do të ketë disa dëshmitarë, por pjesa dërmuese e dëshmive do të jetë pas deklaratave të të akuzuarve. 37 të akuzuarit do t’i japin deklaratat e tyre dhe në bazë të deklaratave emrat dhe personat që do të përmenden nga ta do të propozohen në seancat që vijon si dëshmitarë të rastit”,- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Raufi thotë se rreth 80% prej provave që ka prezantuar prokuroria kanë qenë biseda telefonike të përgjuara nga MPB-ja dhe ka shumë pak prova tjera materiale. Avokatët gjithashtu do të kundërshtojnë provat e prokurorisë dhe do tentojnë të ndryshojnë aktakuzën e cilësuar vepër terroriste.