
Edhe ai mbrojti ardhjen e tij në Kumanovë me mosrespektimin e Marrëveshjes së Ohrit nga Qeveria e Maqedonisë. Shehu para trupit gjykues ka deklaruar të njëjtën gjë si edhe pesë të akuzuarit e tjerë, se pjesëtari i shërbimit sekret, Shenasi Memedi, ka qenë njeri i afërt me partinë shqiptare në pushtet, madje edhe se kishte transportuar Begun dhe Mirsadin vazhdimisht gjatë fushatave zgjedhore të BDI-së.
Shehu tregoi se një tjetër funksionar i lartë i BDI-së, nëpërmjet një shoku e kishte paralajmëruar Beg Rizajn që mos të hyjë në Maqedoni, pasi po i prisnin njësitë speciale.
“I akuzuari, Dem Shehu, është i treti që e jep dëshminë në këtë mbrojtje dhe i njëjti cek se arsyeja që është bërë anëtar i grupit dhe që ka ardhur është mosimpelementimi i Marrëveshjes së Ohrit, pra për të drejtën e popullatës shqiptare, posaçërisht në anën e Kumanovës, ku janë bërë shumë padrejtësi, ku ka pasur jobarazi mes shqiptarëve dhe maqedonasve”,– deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Shehu ka pranuar se bashkë me anëtarë të tjerë të grupit ka marrë pjesë në sulmin në stacionin policor në Goshincë dhe më pas janë kthyer në Kosovë, por mohoi kategorikisht se i kanë keqtrajtuar policët në këtë stacion policor.
Ai gjithashtu tha se i akuzuari, Fadil Fejzullahu, nuk ka qenë në dijeni se përse grupi ka ardhur dhe dikush ka dashur të montojë përfshirjen e tij në këtë rast. Edhe Shehu ka akuzuar ish-ministren e Brendshme, Gordana Jankullovskën, dhe ish shefin e DSK-së, Sasho Mijallkovin, për orkestrim të ngjarjeve të 9 majit.