Rasti “Lagja e Trimave”, Alispahiç: Dëshmitarë mund të ketë edhe politikanë

205
fresco
midle
Pasi mbaroi marrja në pyetje e dëshmitarëve të koduar për rastin “Lagja e Trimave”, seanca gjyqësore filloi të zhvillohet me procedurë dëshmuese dhe me dyer të hapura për opinionin…
Në seancën e sotme u thirrën për të dëshmuar disa dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria, por  Murat Lutfiu gjatë dhënies së dëshmisë u ndërpre dhe mbetet të dëshmojë në seancën e radhës.
Ndërsa Viktor Denkovski dhe Shaban Jashari, dy dëshmitarët e tjerë, janë të pakapshëm nga organet e ndjekjes dhe të njëjtit nuk u paraqitën në seancën gjyqësore.
Nga Prokuroria Publike kanë kërkuar që me dëshmitarin, Murat Lutfiu, të fillojnë me pyetje të kryqëzuara, sepse, sipas tyre, disa pjesë të dëshmisë së dëshmitarit dallojnë nga deklarata e të njëjtit për Prokurorinë Publike. Këtë kërkesë e ka kundërshtuar pala mbrojtëse, sepse nuk e posedon procesverbalin e deklaratës së parë të dëshmitarit.
“Pala mbrojtëse vlerësoi se mund të dëgjohet dëshmitari, por vetëm në pjesën e dëgjimit nga ana e gjykatës, kur erdhi koha e dëgjimit dhe kundërshtimit se gjoja ai ka dhënë dëshmi të cilat nuk korrespondojnë njëra me tjetrën, ne reaguam, sepse nuk e posedojmë procesverbalin e deklaratës së parë të dëshmitarit”,- deklaroi avokati, Asmir Alispahiç.
Avokati, Asmir Alispahiç, njoftoi se pala mbrojtëse tanimë ka  propozuar disa dëshmitarë.
“Mbrojtja ka një numër të madh të dëshmitarëve. Disa prej tyre janë propozuar, por nuk do t’i zbuloj para opinionit. Me kohë do të informoheni se për kë bëhet fjalë. Për kë kemi njohuri se mund të dëshmojnë do t’i ftojmë, qoftë politikanë apo qytetarë të thjeshtë, me qëllim që e vërteta për këtë rast të zbardhet”,- theksoi avokati, Asmir Alispahiç.
Deri më tani janë marrë në pyetje 18 dëshmitarë të koduar. Është vendosur që provat, me përjashtim të atyre të klasifikuara, t’u lexohen dhe shpjegohen të akuzuarve, pasi që nuk kuptojnë se çka shkruan në provat materiale.
Comments