
Seanca gjyqësore për rastin “ Lagja e Trimave” nuk u zhvillua siç prisnin të akuzuarit dhe avokatët e tyre, pasi që tre dëshmitarët e fundit të Prokurorisë Publike nuk janë paraqitur në seancë.
Njëri nga dëshmitarët që nuk u paraqit është Shaban Jashari, por gjykatësja Verka Petrovska lejoi që prokurori Naum Panovski të lexojë dëshminë e parë që Jashari ka dhënë për PP.
“Më 5-6 maj kam vërejtur një person me uniform në shtëpinë e Fadil Fejzullahut. Të nesërmen e kam pyetur Fadilin se kush janë dhe ai më ka thënë se janë UÇK dhe se kanë ardhur për ne. Unë i thash që a duhet dikush të eksperimentojë me ne. E pyeta kush i solli, nuk mu përgjigj. Ditëve në vijim përsëri kam vërejtur persona të panjohur në oborrin e Fadilit. Pash se mbanin armë të tipit kallashnikov. Krismat më 9 maj na frikësuan, u dëgjuan eksplodime, dëgjova britma ‘ura UÇK’, Sokoli jepte komanda”, citohet të ketë thënë Jashari.
Dëshminë e Jasharit avokatët mbrojtës e cilësojnë si të pabazë dhe kanë kërkuar që dëshmitarët domosdoshmërisht të jenë prezent ose deklaratat e tyre të para të transmetohen me zë.
“Sipas Ligjit për procedurë penale 388, është në kundërshtim që të lexohet dëshmia të cilën e ka dhënë dëshmitari para prokurorisë, ose duhet procedurë paraprake. Bëhet një lëshim drastik, sepse ai dëshmitar kur e ka dhënë atë dëshmi nuk është thirrur as në betimin që është i paraparë sipas Ligjit për procedurë penale, prandaj e kundërshtojmë leximin e kësaj deklarate. Ne gjatë gjithë kohës kemi kërkuar që dëshmitari të vijë dhe të merret në pyetje nga pala mbrojtëse se vetë dëshmia e tij është kontradiktore dhe për mua ajo deklaratë është relevante dhe nuk merret si e vërtetë”,- deklaroi avokati mbrojtës, Mefail Asllani.
Leximi i dëshmisë i ka irrituar edhe të akuzuarit. Sami Ukshini, i njohur më nofkën “Sokoli”, i tha gjykatëses se deklarata nuk është e saktë.
“Dëshmitari po ik tërë kohën. Atë e kanë kërcënuar dhe maltretuar si të gjithë ne. Nuk e pranoj këtë deklaratë”,– tha Sokoli.
Ndërsa Lirim Krasniqi tha se kjo dëshmi është falsifikim, si i gjithë procesi kundër tyre. Gjykatësja, Verka Petrovska, nuk i ka pranuar ankesat e avokatëve.
Seanca e radhës do të mbahet më 13 shkurt.