Familjarët e të dënuarve për rastin Monstra dyshojnë se për këtë rast është zhvilluar hetim paralel, jashtë procedurave institucionale. Denoncimi i një qytetari në rrjetet sociale, sipas familjarit Bedri Ajdari, përputhet plotësisht me dyshimet e tyre dhe me faktet që kanë parë vetë të akuzuarit dhe familjarët e tyre. Ata thonë se i gjithë hetimi është zhvilluar jashtë hapësirave të policisë, ndërsa zyrtarët që kishin kompetencë mbi këtë rast as që ishin të informuar.
“Hetimi është bërë paralel, atë natë ka qenë tjetër gjykatës që ka qenë hetues kujdestar, mirëpo është ndërruar me një tjetër dhe ka shku hetimi ashtu siç iu ka përshtat atij që e ka parapa se si do të bëhet skenari. Sa i përket pjesës ku thotë se njëri prej të akuzuarve gjegjësisht Haki Haziri, u morr nga stacioni nga dy vetë, edhe ne e kishim këtë informacion që në fillim, nga dy inspektorë dhe u larguan në drejtim të panjohur dhe pastaj tentuan ta bëjnë dëshmitarë të koduar”, deklaroi për TV SHENJA, Bedri Ajdari, familjarë i të dënuarve të rastit“Monstra”
Ajdari shtoi se pushteti është në dijeni për gjithë këtë dhe pikërisht për këtë arsye nuk lejoi votimin e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, të cilën e kërkoi Prokuroria Speciale Publike.
“Prokuroria Speciale kërkoi që të votohet ligji për dëshmitar të rrezikuar që nuk duan ta rrezikojnë jetën e tyre për shkak të një dëshmie të realtë. Këto gjëra i din pushteti dhe prandaj sillet vërdall dhe nuk dëshiron që në pikën për marrëveshje mes cilës do palë të shqiptarëve, nuk donë ta pranoj Prokurorinë Speciale tja vazhdoj mandatin, ti përkrah ligjet sepse duhet të përgjigjet kush dhe pse e bëri rastin”, tha më tej ai.
Ajdari tha se vitet e fundit partitë shqiptare kanë vepruar gjithë kohën në favor të parisë maqedonase në pushtet, duke mundësuar kështu që e vërteta e rastit “Monstra” edhe sot e kësaj dite të mos dalë në dritë.
Porosia e Bedri Hajdarit mbetet e njejtë, kërkimi i drejtësisë dhe zbardhje të rastit që e vërteta të delë në shesh dhe që personat e pafajshëm të shohin dritën dhe të mos kalben burgjeve, ndërsa fajtorët e vërtetë ta gjejnë dënimin e miratuar.