Rasti “Puçi”, Gjykata e pa informuar për certifikatat e sigurisë (VIDEO)

213

1

Gjykata penale nuk ka njohuri rreth numrit të gjykatësve që nuk posedojnë certifikata sigurie për të vepruar në lëndët që përfshijnë të dhëna të klasifikuara. Pikërisht provat specifike që janë përbëjnë sekrete, bllokuan rastin “Puçi”. Dy nga gjykatëset e porotës nuk kishin certifikatë sigurie dhe si rezultat rasti u shty në kohë të pacaktuar. Nga Gjykata Shkupi 1 informojnë se gjykatësit e porotës nuk janë të obliguar të kenë certifikata sigurie. Alsat M pyeti gjykatën përse për rastin “Puçi” nuk kanë emëruar gjykatës të porotës që tashmë kanë certifikata sigurie në mënyrë që të parandalohej shtyrja e seancës.

“Gjykata nuk ka mundësi ligjore të emërojë gjykatës të ri të porotës, pasi orari dhe Këshillat janë planifikuar që më parë dhe ato nuk formohen hë për hë. Kjo bëhet me qëllim që ata të mbeten në përbërjen e njëjtë gjatë gjithë procedurës, në mënyrë që gjykimi të mos fillojë gjithmonë nga fillimi, e me këtë do zgjatej procedura në rastin konkret”, thanë nga Gjykata Themelore Shkupi 1.

Alsat M dërgoi pyetje edhe në Drejtorinë për sigurinë e informatave të klasifikuara. Ata i pyetëm sa kohë nevojitet që gjykatësit e porotës të marrin certifikatat e sigurisë? Por, edhe pas katër ditëve nuk morëm përgjigje. Rastin “Puçi” e morri Prokuroria speciale. Specialja duhet të qartësojë kush, si dhe për nevojat e kujt kanë përgjuar në mënyrë të paligjshme në Maqedoni. Dëshmitari kryesor i Katica Janevës është ish kryeministri Nikolla Gruevski. Ndonëse ajo insistoi që gjykata ta ftojë Gruevskin në gjykatë, ftesë nga Gjykata penale ende nuk ka. Pikërisht Gruevski nga pozita e kryeministrit më 31 janar të vitit 2015 tha se në procedurë gjyqësore transparente ai do t’i japë të gjitha përgjigjet e duhura.

“Do të përgjigjem në të gjitha pyetjet në procedurë gjyqësore e cila do të jetë e hapur dhe transparente edhe për opinionin e vendit edhe për atë ndërkombëtarë. Prandaj ju ftoj ta ndiqni rastin dhe t’i shihni provat, t’i dalloni spekulimet. Prej sot do të dëgjoni spekulime të llojllojshme, por e vërteta për gjithçka do të dalë në shesh”, deklaroi ish kryeministri Nikolla Gruevski.

Gjykata penale arsyen për anulimin e fillimit të procesit për rastin “Puçi” e sheh te të akuzuarit Zoran Zaev, Zoran Verushevski dhe Prokurorinë speciale, pasi më shumë kërkesa për anulim të seancave kanë ardhur pikërisht nga ato. Por Prokurorja speciale në seancën e fundit që u anulua e akuzoi gjykatësen se qëllimisht e anulon dhe e stërzgjatë fillimin e këtij procesi./alsat-m

Comments