Rasti “Thesari”, bllokohet xhirollogaria e “Finz”-it



Gjykata Themelore Shkupi 1 ka sjellë vendim për ndalimin e kryerjes së transaksioneve financiare në llogaritë e personit juridik “Finzi” DOEEL – Shkup, informojnë nga Prokuroria Speciale Publike.
Bllokimi i llogarisë ka vijuar pas kërkesës së PSP-së për ndalim të përkohshëm të llogarisë së personit juridik në rastin “Thesari”.
“Kërkesa jonë ishte precizuar në pajtim me propozimet e gjykatësit në procedurë parahetimore të Gjykatës Shkupi 1, ne kemi shprehur pajtueshmëri për thellimin e bashkëpunimit profesional me Gjykatën”,- thonë nga PSP.
Gjykata paraprakisht e refuzoi kërkesën për ngrirje të llogarisë bankare të “Finzit” nën arsyetimin se PSP nuk i ka vendosur llogaritë dhe bankat e ndërmarrjes dhe është bazuar në një nen, sipas tyre, të gabuar të Kodit Penal.
Në xhirollogari aktualisht janë bllokuar 650 mijë euro, që figurojnë si deponim themelues i kompanisë. Nuk dihet kush drejton me këto të holla, marrë parasysh se firma gjendet në ShBA dhe drejtori i saj ka ndërruar jetë para rreth 6 muajsh.
Për rastin “Thesari”, PSP ka ngritur akuzë për katër persona–zyrtarë të lartë në DSK dhe MPB, të cilët kanë shfrytëzuar funksionin e tyre për pasurim personal dhe për përfitim të të mirave pronësore.
Ndërkohë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Gjykata e Lartë ka pranuar ankesën e Prokurorisë Speciale në lidhje me masën e burgut shtëpiak për kryetarin e Manastirit, Vlladimir Taleski. Vendimi i Apelit është shfuqizuar dhe lënda është kthyer për shqyrtim.
Gjithashtu, Gjykata e Lartë bën të ditur se mbrëmë është pranuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë në procedurën për të dënuarin, Zvonko Kostovski, e përgatitur nga PSP-ja.