Rasti “Titanik”, Protugjer: Shvrgoski – bastard, punon për LSDM-në

234

Në procesin gjyqësor për rasti “Titanik” ka vazhduar dëgjimi i materialeve të përgjuara….

Në njërën nga bisedat që janë realizuar në maj të vitit 2011 dëgjohen Gordana Jankullovska dhe Martin Protugjer, ku ky i fundit adreson ofendime të rënda për ish prokurorin, tani avokatin e Sasho Mijallkovit, Lupço Shvrgovski. Ai ofendohet dhe quhet bastard i kalbur dhe pijanec që punon për LSDM-në.

 

Në bisedën në fjalë, Protugjer dëgjohet i nevrikosur me Shvërgovskin, pasi që ky ka deklaruar se do të hapë procedurë për aferën “Listat” e publikuar në TV A1, ku është zbuluar se çdo administrator është dashur të sjellë listë me 15 anëtarë që do të votojnë për VMRO-DPMNE-në, ndërsa nuk ka ngritur as një akuzë për ata që e shpalosën aferën. 

 

“Ky Shvrgovski të them unë se punon për LSDM-në. Më thuaj se çka ka bërë deri më tani, nuk ka ngritur as një akuzë për ata që e shpalosën aferën”,- thotë Protugjer, duke treguar se i ka përgatitur një porosi me të shara e ofendime të rënda Shvërgovskit.

 

Për zgjidhjen e kësaj problematike Jankullovska jep idenë që Mijallkov të bëjë shtypje ndaj Shvrgovskit teksa thekson se kanë problem në të gjitha vendet ku në pozita janë njerëz profesionistë. Bashkëbiseduesit janë të shqetësuar nga afera dhe paralajmërojnë padi për gazetarët, Sashka Cvetkovska dhe Natasha Stojanovska, për raportim të rrejshëm.

 

“Ky është ndërtim monstruoz. Me këtë reputacioni i shtetit vihet në pikëpyetje. Padi për paraqitje të rrejshme për Sashka Cvetkovskën, e më pastaj kur ta thërrasin në gjykatë do të ndihet jo këndshëm. Oh, kjo është një makineri e tërë, ndërsa makineria jonë lëshon raporte që nuk kanë as një lidhje”,- thotë Jankullovska.

 

Në biseda dëgjohej edhe se si Mile Janakievski, Martin Protugjer dhe Vllatko Mijallkov bëjnë marrëveshje për aktivitetet për dalje më të madhe të diasporës në votime, ndërsa informata se për sa njerëz janë paraqitur kërkon ish kryeministri Gruevski nga Mile Janakievski. Pas disa bisedave të dëgjuara, Janakieski reagoi deri te trupi gjykues me pretendimin se bisedat nuk janë të plota, përkatësisht mungon një bisedë ndërmjet tij dhe Ilija Dimovskit. 

 

“Nga incizimet e pretenduara të cilat PPS-ja thotë se janë biseda ndërmjet meje dhe Protugjerit, them se do të dëgjohem me Ilija Dimovskin. Biseda tjetër është lëshuar 10 minuta më vonë me Protugjerit ku unë e rrëfej bisedën me Ilian. Kjo është dëshmi se nuk janë dorëzuar të gjitha bisedat dhe se duhet të vërtetohet autenticiteti”,- tha Janakieski. 

 

Po ashtu në njërën nga bisedat dëgjohet se si ish ministrja Jankullovska ka telefonuar në Beograd për të kërkuar informacione nëse bashkëshortja e Branko Cërvenkovskit posedon pronë në Kroaci. Avokatët mbrojtës kundërshtuan publikimin e bisedave të përgjuara të cilat sipas tyre nuk kanë të bëjnë me rastin. 

 

FLORIJE BELULI KAMBERI

Comments