Rasti “Trust”, dëshmitari shpjegon lidhjet me Aviroviqin

336

Në vazhdimin e seancës për rastin “Trust” është paraqitur drejtori i “Sileks Nemetali”, Vasil Ristovski, në cilësinë e dëshmitarit…

Ai ka pranuar se ka pasur një faturë të dyfishtë për makina-damperë të blera më parë, që ishin të nevojshme për të marrë tenderin për gërmimin e qymyrit nga ELEM-i.

Sipas tij, fatura një herë është lëshuar dhe më pas është tërhequr. Ristovski si drejtor ka autorizuar një nga të akuzuarit, Vasilije Aviroviqin, ta udhëheq procedurën e tenderit, edhe pse ai nuk ka punuar në firmë.

“Rasti është i bazuar në dokumentacion material, dëshmia është vetëm sa për ta konfirmuar mënyrën se si ka ndodhur që pikërisht Vasilije Aviroviq t’i dorëzojë dokumentet në favor të “Sileks Nemetali”. Bëhet fjalë për faturën në të cilën bazohet edhe i tërë dokumentacioni i tenderimit, praktikisht është fatura në të cilën “Sileks Nemetali” legjitimohet se ka pasur mundësi ta kryejë punën, ndërkaq atë faturë ata e kanë tërhequr”,- deklaroi prokurori i PPS-së, Gavril Bubevski.

“Gjatë seancës së sotme dëshmitari vërtetoi se personi juridik i akuzuar “Sileks Nemetali” – Kratovë i ka poseduar gjashtë damperët, me çka ka dëshmuar aftësinë e tij për të marrë pjesë në tenderin e vitit 2011”,- theksoi avokatja e mbrojtjes, Sanja Aleksiç.

Në rastin “Trust”, Prokuroria Speciale akuzon tre individë, në mesin e të cilëve edhe afaristin, Sead Koçan, dhe tre persona juridikë, të cilët të bashkuar në konsorcium kanë dorëzuar dokumente të falsifikuara për pronësi të makinerive për të marrë tender në ELEM në vitin 2011.

Bëhej fjalë për gërmimin e thëngjillit në TEC – Manastiri, në vlerë prej 17 milionë euro. Seanca e radhës është caktuar për 12 dhjetor.

Comments