“Të sigurohen avokatët në ushtrimin e profesionit të tyre” Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë ndaj sulmit fizik i cili ka ndodhur sot ndaj avokatit Mahmut Halimi.
OAK e konsideron të papranueshëm dhe tejet shqetësues këtë veprim, e aq më shqetësues për faktin se avokati Halimi u sulmua pikërisht në institucionin e Prokurorisë, atë të Prokurorisë Themelore ne Mitrovicë.
“Njëherësh, OAK kërkon nga organet e drejtësisë që të merren me këtë rast, duke e konsideruar si lajm tejet të keq që një avokat sulmohet gjatë kryerjes së detyrës së tij”, thuhet në reagimin e OAK.
Avokati, Mahmut Halimi, ka konfirmuar që është sulmuar në zyre të prokurorit z. Njazi Rexha nga Sabit Lushtaku i cili ishte duke u marrë në pyetje ne cilësinë e dëshmitarit, vijon njoftimi.
“Ky nuk është rasti i parë i kërcënimit dhe sulmeve ndaj avokatëve. OAK, kërkon nga institucionet e drejtësisë që të sigurohen avokatët në ushtrimin e profesionit të tyre në mbrojtje të lirive dhe të drejtave te qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Oda e Avokatëve të Kosovës do të ushtroj funksionin e saj kushtetues dhe juridik duke mbështetur fuqishëm avokatët për të mos iu nënshtruar asnjë lloj presioni ne ushtrimin e detyrave të tyre të garantuara me kushtetutë dhe ligjin e Republikës së Kosovës.
Kujtojmë se sot avokati Mahmut Halimi ka konfirmuar është sulmuar në zyre të prokurorit nga Sabit Lushtaku derisa ishin duke u marrë në pyetje dëshmitarët e propozuar nga pala mbrojtëse.