
Deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, pronar i kompanisë Elkos Group, është deklaruar pasi AKP e gjobiti këtë kompani me 1.3 milionë euro. Kelmendi thotë se e dënuan për hakmarrje politike.
I papritur dhe i pavend i duket Ramiz Kelmendit vendimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për ta ndëshkuar kompaninë e tij me 1.3 milionë euro për shkak të mospërmbushjeve të detyrimeve kontraktuale pasi ai kishte blerë kompaninë Famipa.
Kelmendi për Gazetën Express ka thënë të kundërtën e asaj që thuhet në vendimin e AKP-së.

“Unë kam plotësuar tri kërkesat që më janë kërkuar me rastin e privatizimit të Famipa-s”, ka thënë Kelmendi.
Arsyeja e dënimit prej mbi 1 milion eurove, deputeti i LDK-së thotë se është kryekëput politike. Ndërrimi i partive, për cka njihet Kelmendi, thotë të jetë arsyeja kryesore e marrjes së dënimit.
“Arsyet pse jam dënuar lidhen me politiken. Këtë dënim është hakmarrje politike. Këtë ma ka bërë PDK-ja për shkak se unë jam larguar nga kjo parti. Ata që përgatisin raportet për bordin e AKP-së, janë njerëz të PDK-së”, tha Kelmendi.