Reali fiton Superkupën, Sevilja dorëzohet pas 120 minutash
Daniel Carvajal dhe kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos janë heronjtë e padiskutueshëm të Real Madrid në finalen e Superkupës së Europës, ndaj ekipit tjetër spanjoll Sevilja.
Edhe pse kaluan të parët në avantazh me anë të Marco Asensio, Real Madrid ka rrezikuar t’i ikë nga duart titulli pasi Sevilja reagoi shumë mirë duke shënuar dy gola. Golin e parë për Sevilja e shënoi Franco Vazquez në minutën e 41’ të pjesës së parë duke mbyllur në barazim edhe 45 minutat e para.
Ndërsa goli i avantazhit për ekipin e drejtuar nga Jorge Sampaoli, u shënua nga ukrainasi Yevheniy Konoplyanka në minutën e 72’.
Por ndërsa ndeshja po i afrohej fundit dhe tifozët e Seviljas kishin nisur festën, kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos edhe një herë tjetër u kthye në shpëtimtarin e skuadrës së tij, duke barazuar rezultatin në sekondat e fundit, duke e dërguar kështu ndeshjen në kohën shtesë.
I njëjti skenar u përsërit edhe në minutat e fundit të kohës shtesë, kur gjithçka dukej se po i drejtohej pikës së bardhë të penalltive, Daniel Carvajal në minutën e 120 shënoi golin që i dhuroi Real Madrid superkupën e Europës.
Në “Lerkendal Stadion” të Trondheim në Norvegji, Zidane e niste me 11-she surprizë, titullarë Kovacic dhe Asensio, asnjë nga treshja BBC në fushë me Modric, Benzema dhe James në stol, në krahun tjetër Sampaoli hidhte që nga minuta e parë tre blerjet e reja Franko Vazquez, Kiyotake dhe Luciano Vietto.
Ishte në fakt ndeshja e të rinjve pasi pas një fillimi më të mirë të Realit ishte Marco Asensio ai që kaloi në avantazh Los Blancos në minutën e 21 me një gol impresionues.
Gol prej një bomberi të madh për 20 vjecarin që tundi rrjetën me një të majtë nga jashtë zone duke mposhtur Sergio Ricon. Madrilenët në avantazh por gjithsesi Sevilla gjeti barazimin para mbylljes së pjesës së parë, në një gol ku sërish protagonistë ishin të rinjtë, blerjet e reja të kësaj vere, kontroll perfekt i topit nga Luciano Vietto me Franko Vazquez që pothuajse ia rrëmbeu nga këmbët duke shënuar me të majtën e tij fluturimthi për të barazuar shifrat në 1-1.
Në pjesën e dytë Zinedine Zidane futi në lojë lojtarë si Benzema e Luka Modric, por u ndëshkua nga ai që më pak e priste. Gabim i pafalshëm i Sergio Ramos që ngriti takat në zonë ndaj Viettos që ishte duke e kaluar dhe për arbitrin nuk kishte dyshime, penallti e pastër.
Nga distanca e 11 metrave Konoplyanka la në tokë Kiko Casillan për golin e 2-1, me Sevillan që ia doli të menaxhonte avantazhin deri në minutën e 90, por jo deri në vërshëllimën e fundit pasi në minutën e tretë të shtesës Sergio Ramos edhe një herë , ashtu si në finalen e Championsit të 2014 ktheu nga rruga trofeun duke barazuar me golin e 2-2 me një goditje me kokë, ekzaktësisht si ndaj Atleticos dy vjet më parë, deja vu e frikshme.
Në shtesë Ramos shënoi edhe një tjetër gol por arbitri e anulloi atëherë kur mbrojtësi i Realit po festonte, dhe pas një lumi rastesh për madrilenët Reali gjeti golin e fitores përfundimtare në minutën e 120 me Dani Carvajal që depërtoi në zonë për të shënuar me një goditje të bukur golin e 3-2 që vendosi ndeshjen duke i dhënë trofeun e parë sezonal Realit të Madridit.
Vlen për t’u theksuar edhe fakti se prej minutës së 94’ Sevilja ka luajtur me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Thimothee Kolodziejczak.