Rebalanci në shtator, pastaj rritja e pagave

289

Rritja e rrogës minimale do të pret muajin shtator, pasi fillimisht duhet të bëhet rebalanci i buxhetit të vitit 2017, i cili ende nuk është gati, megjithëse nga Ministria e Financave sigurojnë se po punohet në planifikim e rebalancit të buxhetit, shkruan gazeta KOHA. Nga Ministria e Financave informojnë se parakusht për rritjen e rrogës minimale është që të parashihen para me rebalancin e buxhetit. “Ende po zhvillohen konsultime me të gjitha ministritë dhe janë duke u bërë vlerësimet se në cilat ministri do të ketë shkurtim të mjeteve të cilat do të ketë rritje të buxhetit. Ministria e Financave është duke punuar në përgatitjen e rebalancit dhe nëse nuk arrijmë ta dorëzojmë deri kah mesi i muajit korrik në Qeveri për miratim, atëherë mbetet që rebalanci të miratohet nga Parlamenti në muajin shtator. Me rebalanc do të shihet saktë se sa mjete do të shkurtohen apo sa mjete do të rriten për ministritë.

Do të shkurtohen mjete për të gjitha harxhimet jo produktive dhe diskrecionale nëpër ministri, edhe pse ka shumë pak hapësirë për shkurtime. Me rebalancin do të parashihen mjete shtesë për rritjen e rrogës minimale, prandaj duhet të presim të jetë gati rebalanci”, thonë nga Ministria e Financave. Nga Ministria e Financave theksojnë se ministritë ankohen se para se të ndodhë ndryshimi i pushtetit kanë harxhuar mbi 60 për qind të buxhetit vjetor. “Në katër muajt e parë të këtij viti janë grumbulluar 31 për qind e të hyrave të parapara, ndërsa për të njëjtën periudhë janë harxhuar 30 për qind e parave të grumbulluara. Në anën tjetër, për shkak të kufizime që i pati qeveria teknike, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve më 11 dhjetor të vitit të kaluar deficit buxhetor është më i ulët, gjegjësisht për katër muajt e parë të këtij viti gropa buxhetore ka rritur shifrën prej 58 milionë eurove nga 300 milionë euro të planifikuar deri në fund të këtij viti. Më rebalanc, me siguri nuk do të ketë zvogëlim të deficitit”, thonë për KOHA nga Ministria e Financave.

Ndryshe, në takimin e parë që ministri i ri Financave Dragan Tevdovski e pati me gazetarët dy javë më parë, deklaroi se që të mund buxheti të funksionojë, nevojiten para të gatshme të cilat do të sigurohen me rebalancin. Sipas ministrit Tevdovski, përveç se duhet të parashihen mjete financiare për rritje e rrogës minimale, do të duhet të sigurohen mjete edhe për kthimin e borxhit ndaj institucioneve të huaja si dhe mbulimin e deficiti buxhetor. “Borxhi i jashtëm me siguri se do të kthehet me paratë e euro-obligacionit që u morën vitin e kaluar, ndërsa sa i përket mbulimit të deficiti buxhetor kjo do të bëhet përmes emetimit të letrave me vlerë në tregun vendor financiar, ku edhe ka tepricë të parave në bankat vendore. Njëherit, me rebalanc do të parashihen edhe para për rritjen e rrogës minimale në Maqedoni”, deklaroi ministri i Financave Tevdovski në takim me përfaqësuesit e mediave. Se në tregun bankar në Maqedoni ka para të mjaftueshme, këtë ditë më parë e deklaroi edhe guvernatori i Bankës Popullore, i cili i sugjeroi ministrit të Financave Tevdovski që për të stabilizuar borxhin e jashtëm, më mirë është të merr kredi në tregun e brendshëm financiar.

“Viteve të fundit likuiditeti i bankave në vend është shumë i lartë dhe bankat nuk kanë ku t’i plasojnë këto mjete, prandaj mirë do të ishte që Qeveria të emeton letra me vlerë. Në tregun vendor ka ende hapësirë për të marrë borxhe të reja edhe pse ka nevojë edhe për huamarrje nga institucionet financiare ndërkombëtare, mirëpo së pari duhet të bëhet balancim i borxhit publik”, deklaroi ditë më parë Dimitar Bogov, guvernator i BPM-së. Njëherit, guvernatori i BPM-së Bogov përmirësoi rritjen ekonomike të paraparë për ketë vit, duke e ulur nga 3.5 për qind sa parashihej në 2.5 për qind, ndërsa borxhit publik sipas të dhënave të BPM-së deri në fund të muajit mars të këtij viti shënon shifrën prej 4.7 miliardë euro, që i bie të jetë 46 për qind nga Bruto Prodhimi vendor.

Comments