Referendumi në Itali për ndryshimet kushtetuese, reagojnë gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë: Pavarësia e drejtësisë, themel i demokracisë

81

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqata e Prokurorëve kanë reaguar pas zhvillimit të referendumit për ndryshimet kushtetuese në Itali, i cili nuk u miratua nga qytetarët.

Në një deklaratë të përbashkët publike, dy shoqatat vlerësojnë se procesi referendar në Itali dëshmoi edhe një herë se pavarësia e sistemit të drejtësisë mbetet një nga shtyllat kryesore të funksionimit të një shteti demokratik.

Sipas tyre, rezultati i referendumit tregoi një mbështetje të qartë për një sistem drejtësie të pavarur, i cili garanton shtetin e së drejtës dhe ndarjen e pushteteve. Shoqatat shqiptare shprehen se një drejtësi funksionale dhe e pavarur është thelbësore për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive kushtetuese të qytetarëve.

Në deklaratë, ato vlerësojnë gjithashtu rolin e Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve të Italisë, duke theksuar angazhimin e saj në nxitjen e debatit publik dhe mbrojtjen e parimeve kushtetuese.

“Rezultati i këtij referendumi tregoi një mbështetje të qartë për pushtetin garantist të shtetit të së drejtës, i cili sigurohet vetëm nga një sistem drejtësie që funksionon në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thuhet në reagim.

Shoqatat shqiptare theksojnë se magjistratura italiane ka dëshmuar pjekuri dhe qëndrueshmëri në përballje me sfida të shumta, duke e merituar pavarësinë që gëzon sot.

Duke marrë shkas nga ky zhvillim, ato shprehen të vendosura për të vijuar angazhimin e tyre në forcimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, me synimin për të rritur besimin e publikut dhe për të garantuar një sistem të drejtë dhe transparent.

Në fund, në deklaratë theksohet se sistemi i drejtësisë përbën “oksigjenin e lirive themelore të qytetarëve”, ndërsa theksohet nevoja për bashkëpunim mes institucioneve dhe qytetarëve për ndërtimin e një shteti të së drejtës funksional.

Comments