Reformë fiskale në Poloni – familjet me dy fëmijë përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat
Polonia ka nënshkruar një ligj të ri, i cili përjashton të gjithë prindërit që rrisin të paktën dy fëmijë nga tatimi mbi të ardhurat personale. Reforma synon të mbështesë familjet, të rrisë të ardhurat e disponueshme dhe të nxisë aktivitetin ekonomik. Projektligji heq detyrimin për të paguar taksën mbi të ardhurat për familjet me të ardhura deri në afërsisht 33,000 euro në vit. Lehtësimi tatimor do të jetë i vlefshëm për të gjithë personat që kanë përgjegjësi prindërore mbi fëmijët, duke përfshirë kujdestarët ligjorë dhe prindërit adoptues.
Mediat e huaja shkruajnë se sipas llogaritjeve të presidencës, një familje mesatare polake pritet të përfitojë rreth 235 euro më shumë në muaj falë kësaj mase. Efekti i vërtetë i këtij ndryshimi do të pasqyrohet vetëm në deklaratat tatimore të vitit 2026, të cilat do të dorëzohen në vitin 2027. Qëllimi i reformës është të lehtësojë barrën fiskale mbi familjet, të stimulojë konsumin dhe të inkurajojë angazhimin profesional. Përjashtimi nga taksat është vetëm një pjesë e një pakete më të gjerë reformash të quajtur mbrojtja tatimore.
Paketa përfshin gjithashtu uljen e TVSH-së nga 23% në 22%, eliminimin e taksës mbi fitimet kapitale dhe indeksimin e pensioneve sipas një kuote të re. Sipas burimeve zyrtare, programi do të financohet nga një shtrëngim i sistemit tatimor, i cili pritet të gjenerojë rreth 3 miliardë euro. Megjithatë, ekspertët financiarë janë skeptikë dhe e konsiderojnë këtë burim financimi të pamjaftueshëm. Specialistët e taksave paralajmërojnë gjithashtu se përfitimet më të mëdha nga reforma do të ndihen nga qytetarët me të ardhura të larta./Dosja.al

