“Reket”, prokurori Rrustemi: Konsideroj se deklarata ime do të kontribuojë për zhvillimin e hetimit
Konsideroj se deklarata ime do të kontribuojë për zhvillimin e hetimit, në pjesën e ngjarjeve lidhur me lëndën “Banka postare”, deklaroi prokurori Burim Rrustemi nga Prokuroria Speciale Publike, pas dëshmisë së tij dyorëshe në Prokurorinë për ndjekje të krimit të organizuar për rastin “Reket”.
Rrustemi është prokurori i tretë nga PSP-ja që është marrë në pyetje për rastin “Reket”, pasi që prej fillimit të javës u dëgjuan koleget e tij Elizabeta Josifovska dhe Lile Stefanova.
“Dhashë deklaratë në cilësinë e dëshmitarit në rastin ‘Reket’ lidhur me çështjet lidhur me hetimin ‘Banka postare’, të cilin hetim e udhëheq unë në PSP. U përgjigja në të gjitha pyetjet për të cilat interesohej Prokurorja, i dhashë të gjitha informatat. E thashë të vërtetën dhe konsideroj se deklarata ime do të kontribuojë për zhvillimin e hetimit, në pjesën e ngjarjeve lidhur me lëndën ‘Banka postare’”, deklaroi Rrustemi.
I pyetur nëse janë të sakta informatat se kanë marrë kërcënime nga prokurorja speciale publike, Katica Janeva se “do të dështojnë së bashku me të”, Rrustemi tha se ai nuk ka ndjerë ndikim serioz për deklaratën e tij sot dhe nëse ka pasur ndikim, atë do ta paraqiste.
“Unë nuk ndjeva ndikim serioz për deklaratën time që e dhashë sot. Në të klundërtën, unë do të paraqitja nëse dikush do të ndikonte se çfarë të them”, deklaroi Rrustemi.
Lidhur me hetimin për “Bankën postare”, Rrustemi tha se ai është nga fundi dhe do të vendosin kur të ndërmerren hapat e ardhshëm.
I pyetur përse paraprakisht nuk kanë paraqitur nëse ka pasur mospajtime, Rrustemi shkurtimisht tha se këtë verë nuk ka pasur kërkesë të tillë. .

