Remenski: Edukatoret në vend të punës, jo në mitingje

Sipas ministres Remenski, vendimi vjen pas ankesave të qytetarëve se edukatoret po largohen nga vendi i punës gjatë orarit për të marrë pjesë në mitingjet partiake, duke ua lënë në dorë përkujdesjen e fëmijëve personave joadekuatë.
“Deri në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale nga dita kur kemi dorëzuar njoftimin për respektimin e orarit të punës nëpër çerdhe kanë ardhur ankesa nga prindërit se edukatoret largohen nga çerdhet para se të mbarojë orari i punës. Fëmijët lihen në mbikëqyrjen e njerëzve të angazhuar për mirëmbajtjen e çerdheve dhe edukatoret plotësojnë obligimet partiake”,- deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Remenski.
Një tjetër problem i ngritur sot nga Remenski është ai i keqpërdorimit të ndihmave sociale. Për 134 persona të vdekur nga rajoni i Tetovës është realizuar e drejta dhe për ata janë marrë mjete për kompensimin e kujdesit për personin tjetër edhe pas vdekjes së tyre.
“134 persona nga Tetova kanë marrë ndihmë sociale gati dy vjet pas vdekjes, ndërkaq një pjesë e tyre ende gjendet në Listën e zgjedhësve. Kjo është vetëm një pjesë nga ajo që kemi gjetur, ndërkaq ditëve në vijim do të gjejmë keqpërdorime edhe në qytete tjera”, deklaroi Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Remenski.
Remenski thotë se në Qendrën për ndihmë sociale edhe pse kanë pasur njohuri se personat kanë vdekur, megjithatë kanë vazhduar ta paguajnë ndihmën sociale.

