REVOLTOHEN BANORËT E VËRSHUAR, NUK JEPEN NDIHMA, ANKOHEN PËR SHPËRNDARJE JO TË DREJTË TË MJETEVE

108

Moebel THEMA

Banorët e Hasanbegut dhe fshatrave përreth ankohen për shpërndarje jo të drejtë të ndihmave për pastrim. Ata shprehen të revoltuar se pajisjet që janë sjell si ndihma, përfshirë çizmet apo lopata, po ndahen në mënyre selektive dhe me njohësi.

“Nëpër shtëpia jo, nëpër sokake po. Nga rruga jonë nuk kanë rregulluar ende asgjë. Vetëm këndej nga e ka kap lumi përpjetë. Lopata kishin sjell plotë, por badihava shteti hajdut! Ti edhe me shku me kërku, ata s’po t’i japin. Unë i thosha bjerma një kolicë se m’duhet se lloçin ta heq prej brenda, ata më thanë që s’ka. U thash, o bir çfarë janë këto brenda, për kë i ruani? Dikur mo, m’boni nervoz! Thash, a ma jep një apo ta futa mbas qafës?!”, shprehet Lirie Ramovik.

Banorët e Hasanbegut vazhdojnë të vuajnë pasojat nga vërshimet e një jave më parë.

Kësaj radhe jo nga natyra por nga faktori njeri.
Shumë prej tyre janë të revoltuar dhe njëzëri ankohen se ndihmat humanitare, nuk po shpërndahen drejtë, dhe përpos ujit e bukës, nuk ka pajisje për pastrim.

“Kam shku te shkolla ‘’25 maji’’, kam pyetur, po po bëhet, po po bëhet! Shkoni nëpër shtëpia, ku me ardhur këtu! Këtu s’ke qysh me kalu!”, thotë banorja nga Hasanbegu. 

Të gjendur nën rrënoja, prej 8 ditësh tashmë banorët janë në pritje që dikush të solidarizohet me ta. Thonë se askush deri më tani nuk u trokiti në derë për t’i ndihmuar. Familja Imeri rrezikoi gjithë shtëpinë pasi kjo e fundit gjendet fare pranë kanalit që përshkon lagjen. Me vet forcat e tyre, pastruan aq sa mundën.

“Kemi kërkuar vegla për të na dhënë me punu, nuk na kanë dhënë! Kemi lyp kolicë, nuk na kanë dhënë! Kemi lyp edhe çizme, nuk na kanë dhënë. Edhe asnjë nuk na ka ardhur për të na pyetur përveç jush”.

“Kemi thirr policinë për të na shpëtuar, kemi thirr s’di sa herë. Lajmëroheshin por nuk merrnin masa!”, shprehen ato.

Përveç ndihmave në mjete dhe ndihmës në pastrimin e shtëpive, banorët ankohen për mos dezinfektimin e vendeve ku janë duke jetuar edhe pse nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se ekipet kanë nisur punën e tyre.

“Askush hiç, askush asgjë, as dezinfektim, as asgjë hiç hiç! Qe, mu kanë bë duart krejt viran! Shkova kërkova, tha skena a aty i kishin”, shprehet Bedrie Latifi.

Banorët e revoltuar, tregojnë se asnjë eskavator nuk ka ardhur për pastrim të oborreve dhe shtëpive të tyre, dhe se çdo gjë deri më tani e kanë bërë vet.

Comments