Rezoluta për Maqedoninë, PE: Tranzicion transparent në formimin e qeverisë, zbatim të plotë të MO-së, regjistrim të popullatës

128
fresco

Me 54 vota “për” dhe 8 “kundër”, Komiteti për punë të jashtme në Parlamentin Europian ka miratuar rezolutën për përparimin e Maqedonisë në integrimet europiane për 2016-n.

Midis tjerash, përmenden termet “Maqedoni”, “maqedonas” dhe të ngjashme, si dhe parashikimet se Maqedonia do të ketë qeveri të re, andaj kërkohet tranzicion transparent.

“Formimi i qeverisë së re të bëhet në mënyrë stabile, përgjegjësi dhe tranzicion transparent në përputhje me kushtetutën dhe ligjet. Ftohen të gjitha palët të përmbahen në shkaktimin e  çfarëdo pengese për funksionimin efektiv të parlamentit. Partitë të zbatojnë plotësisht të gjitha reformat urgjente dhe Marrëveshja e Përzhinës, me qëllim që të sigurohet stabiliteti politik në të ardhmen”,- thuhet në rezolutë.

Parlamenti Europian fton qeverinë e re të Maqedonisë të vendosë linja efektive të përgjegjësisë në kuadër të institucioneve dhe rekomandon përfaqësim të drejtë të të gjitha bashkësive në të gjitha nivelet e administratës publike.

Në rezolutë gjithashtu theksohet që Prokurorisë Speciale duhet t’i jepet kohë dhe të gjitha resurset që pa obstruksione ta kryejë punën deri në arritjen e përgjegjësisë juridike dhe politike.

Hapja e bisedimeve të Maqedonisë për anëtarësim në BE do të ndodh me kusht zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinës dhe reformat urgjente prioritare të Komisionit Europian. Sa i përket reformave në gjyqësor, administratën publike, të drejtat themelore, marrëdhëniet fqinjësore, mediat dhe punësimi i të rinjve insistohet të merret parasysh Marrëveshja e Ohrit.

“Rikujtojmë liderët në përkushtimet e tyre për zbatimin e plotë dhe transparent të Marrëveshjes së Ohrit, pa shtyrje të mëtutjeshme, duke siguruar buxhet të mjaftueshëm për zbatimin e tij. Dënohet çdo formë e iredentizimit dhe çdo tentim që të shkatërrohen grupe të ndryshme sociale dhe të niset regjistrimi pa shtyrje të mëtutjeshme”,- kërkohet në rezolutë.

Eurodeputetët kanë kërkuar që kontestet dypalëshe të mos shfrytëzohen për të penguar procesin drejt anëtarësimit në BE, por ato të shqyrtohen në frymë konstruktive dhe në përputhje me standardet e BE-së dhe OKB-së.

Parlamenti Europian shpreh shqetësimin për klimën në të cilën funksionon sektori civil si dhe sulmet që u bëhen atyre dhe përfaqësuesve të huaj nga ana e politikanëve dhe mediave.

Gjithashtu, Parlamenti Europian konsideron se nevojiten masa konkrete për arritjen e kohezion shoqëror midis bashkësive të ndryshme etnike dhe fetare në Maqedoni, përfshirë edhe qytetarët e identitetit bullgar.

Comments