Rezultati i disfavorshëm i disa subjekteve politike në zgjedhjet lokale, ka bërë që të njëjtat të mendojnë seriozisht për ndryshime të brendshme partiake, edhe atë në disa degë, me qëllim t’i shmangen shthurjes nga skena politike
Fitim Kryeziu
Këto pakënaqësi thuhet të kenë dalë në Lëvizjen BESA, të cilët nuk janë të kënaqur me rezultatin e arritur sidomos në Komunën e Gostivarit, ku kjo parti ka arrit që të marrë vetëm 2.155 vota, ndërsa ka shënuar një ngecje të madhe përballë ASH-së dhe BDI-së të cilat kishin nga 6.822 vota, respektivisht 8.429 vota. BESA, madje nuk kishte rezultat të lakmueshëm edhe në Strugë ku ka arrit të marrë vetëm 2.250 vota, ndërsa rezultat jo edhe aq i mirë u shënua në Saraj ku BESA me 4.144 vota ishte subjekti i dytë politik, por duke ngecë për 3.457 vota mbas BDI-së.
Ndërsa, ASH e Ziadin Selës, nuk ka qenë e kënaqur me rezultatin e arritur në Komunat e Tetovës, Sarajit, ndërsa shumë dëshpërues ka qenë rezultati në Komunën e Çairit. ASH në Tetovë ka marrë gjithsej 4.512 vota, në Saraj 3.304 vota, ndërsa në Çair nga 57.000 sa ka trup votues, ASH ka arrit të rrëmbejë vetëm 2.226 vota. Njohësit e mirë të rrethanave politike kanë pohuar se këto vota i ka siguruar vet lideri Sela, por i kanë quajtur si dështim total strukturat partiake, ku thuhet se përjashtime nuk do të ketë, por vetëm rifreskim të radhëve.
“Paraprakisht kemi parë rezultatin e zgjedhjeve dhe në të gjitha komunat ku kemi garuar kemi pritur që të dalim fitues. Në këto rrethana mendoj se është shumë më e kapshme që ne t’i kyçemi rundit të dytë të zgjedhjeve, ku jemi në balotazh në disa komuna. Dhe, në këto rrethana gjasat janë shumë të mëdha që ne të korrim fitore, ndërsa rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve do ta analizojmë në kryesinë qendrore ku do të analizojmë rezultatin komunë për komune. Ne si Aleancë nuk kemi qasje përjashtuese ndaj askujt, por nëse diku kemi rezultat më të dobët sesa kemi prit, sigurisht se ka hapësirë aty për prurje të reja, por jo për përjashtime”, tha për MEDIAL.mk, Remzi Mehmeti, nënkryetari i Aleancës për shqiptarët.
Ndërkohë, nga Lëvizja BESA kanë pohuar se që nga themelimi i saj e cila erdhi në skenën politike si një nevojë e domosdoshme e shoqërisë shqiptare dhe rinisë, “ka qenë e qëndrueshme në rrugëtimin e saj konsistente dhe parimore”.
“Sepse ishim partia e parë dhe e vetme e cila ju qëndroi besnik parimeve të saj ndaj elektoratit”, kanë thënë në BESA.
Madje, sipas tyre, pa ndërprerë gjatë gjithë periudhës gati se tre vjeçare, nuk e kanë ndërprerë komunikimin me strukturat dhe qytetarët gjithandej Maqedonisë dhe kjo në vazhdimësi sipas tyre ka sjellë rritje dhe forcim të radhëve.