Rikonstruohet deponia rajonale “Rusino”

Ndërmarrja publike komunale “Komunalec” e qytetit të Gostivarit është duke punuar intensivisht në rikonstruimin e Deponisë rajonale “Rusino”. Sipëraqja prej 20 mijë metra katrorë, te e cila deponojnë mbeturinat 9 komunat e rajonit të Pollogut, e tëra pastrohet dhe e njëjta mbulohet me dhe.
Punimet kanë nisur këto ditë dhe për periudhë të shkurtër e tërë deponia pritet të marrë pamje tjetër. Punimet në terren i kanë ndjekur nga afër edhe një ekip nga ndërmarrja publike e qytetit të Gostivarit, udhëhequr nga drejtori, Memediali Xhaferi.

Shkak i këtij intervenimi ka qenë moti i nxehtë, tha drejtori Xhaferi, që të parandalohet kundërmimi i erës së keqe dhe ndezja e deponisë, e cila shpesh gjatë stinës së verës ndodh të ndizet për shkak të lëshimit të gazrave. Pos këtij intervenimi, edhe ujërat e zeza janë futur në gypa dhe të njëjtat më nuk do të dëmtojnë fushat e Banjicës.
Mirëmbajtja e deponisë “Rusino” është obligim i të gjitha komunave të Pollogut, të cilat deponojnë mbeturinat, por prapë për mirëmbajtjen e saj, është duke u përkujdesur vetëm ndërmarrja komunale e Gostivarit.
Pos sipërfaqes së vendit ku hudhen mbeturinat, ndërmarrja komunale e Gostivarit, është duke rregulluar dhe pastruar edhe rrugën qasëse deri te Deponia “Rusino”, ku poashtu janë hudhur mbetje nga kompanitë e kontraktuara për tubimin dhe bartjen e mbetjeve në Pollog.
Nga sipërfaqja e tërësishme prej 20 mijë metra katrorë në Rusino, gjysma i takon Gostivarit, megjithatë si pasojë e mospasjes interesim nga Komunat tjera të Pollogut, Gostivari do ta pastrojë tërë këtë sipërfaqe e ku punët pritet të kapin shifrën e 20 mijë eurove.
Kryerja e punëve në terren i është besuar kompanisë “Rasim Trans” nga fshati Zdunjë, e cila, pos menjanimit të mbetjeve, shtresimit të tyre dhe mbulimit me dhe, ka hapur edhe një rrugë të re në Deponinë “Rusnio” përmes së cilës mjetet bartëse të mbeturinave do ta kenë më të lehtë qasjen në një pjesë te deponia në fjalë. Autoritetete e Gostivarit presin të hasin në mirëkuptim edhe nga komunat tjera të Pollogut, që në të ardhmen bashkërisht të përkujdesen për mirëmbajtjen e deponisë tek e cila deponohen mbetjet e të gjithë popullatës së Pollogut.