Rikthimi i Metës dhe porositë e freskëta amerikane

255

meta zheji

Nga Artur Zheji

Askush nuk e beson se është thjesht një rastësi apo një taktikë politike, kërkesa e papritur dhe e fortë e Metës, për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për “Çështjen Balili” dhe mos arrestimin e tij të deritashëm.

Ashtu si edhe në rastin e Kastriot Ismailajt dhe “Çështjes Çez Albania”, edhe në rastin “”Balili”, përmes shumë marifetesh mediatike dhe jo vetëm mediatike, një Zyrë e Speciale e modelit informim-dizinformim mediatik, ja le rregullisht kopilin e përgjegjësive te dera e Ilir Metës. Edhe pse Meta nuk është as ministër i brendshëm, as drejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe as shefi i SHIK-ut dhe nuk ka në këto poste drejtuese asnjë emërtesë të partisë së tij.

Porse duket se dikush në Washington ia paska hapur paksa sytë Kryetarit të Kuvendit, në lidhje me këto “Çështje” dhe për mënyrën speciale se si ia varin në qafë, miqtë e dashur të pushtetit dhe “Zyra Speciale e informim-dizinformimit”. Por jo vetëm.

Duket se Metës, kur kryeministri ishte në Singapore, ndërsa ai në Washington, i kanë kërkuar prova konkrete, për të drejtuar fort dhe ndjeshëm, kupolën qeverisëse e cila është tashmë një kupolë e thyer gastaresh, sy më sy dhe gojë më gojë me pjesët më të errta të shoqërisë shqiptare.

Dhe si gjithmonë Meta, pas një qetësie të vërtetë apo të rreme, shpërtheu në mënyrë befasuese, në një kërkesë zyrtare që kapi miqtë-armiq në befasi të plotë.

Dukshëm ky është rasti i kërkesës së tij zyrtare dhe tronditëse për shumë kënd në lidhje me alarmin e moskapjes së trafikantit Klement Balili, që koridoreve dhe jo vetëm, miqtë e aleancës, ngrenë supet, rrudhin vetullat, shkelin syrin apo lëvizin kokën si lavjerrës, duke thënë nëpër dhëmbë se “Balili është mik i Metës”.

Mirëpo sot ata duhet të ishin të gëzuar, që “Meta ja hapi rrugën për kapjen e Balilit (?)”, por po ndodh pikërisht e kundërta.

Deri tani që po shkruaj kanë ndodhur të paktën 5 veprime reaguese dhe të alarmuara, nga kërkesa e Metës dhe nga pranimi zyrtar i Presidentit Nishani, për të mbledhur sipas kërkesës së Metës, këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Veprimi i Parë: Kryeministri, shqetësuar dukshëm dhe me nervozizëm të pafshehur, vrapoi për te Meta. Për çfarë?! Të anullonte kërkesën zyrtare? Ta kërcënonte? Të shfrynte? Fakt është që burimet thonë se kryetema ishte Çështja Balili dhe Siguria Kombëtare e një shteti qesharak, ku të paktën një ministër socialist i kësaj qeverie, thuhet se është qerasur me një vizitë lluksoze në Dubai…

Veprimi i Dytë. Media pro qeverisë, intervistojnë me ngut 2 ish presidentë, politikisht afër sot edhe ata me qeverinë, të cilët thonë se Këshilli i Sigurisë Kombëtare, nuk mund të mblidhet për një person të vetëm, qoftë ky edhe supertrafikanti Balili.

Dhe Zyra Speciale e informim-dizinformimit pranë qeverisë, nxiton dhe e përhap me mjështëri qëndrimin e këtyre ish presidentëve, për të zhvleftësuar qëllimin dhe peshën e mbledhjes së thirrur tashmë nga Presidenti Nishani. Dhe çuditërisht këtë “ide brilante” e ka vetë gazeta e “djathtë” Mapo me linjën e vet editoriale: “Sa më shumë mandate qeverisëse për Edi Ramën!”, pamvarsisht se supertrafikanti Balili, tallet me shtetin, Shërbimet, Policinë dhe çfarë mbetet tjetër nga shteti.

Veprimi i Tretë. Rikthehet në skenë Fatos Klosi, si një komentator special për çështje delikate që lidhen me krimin dhe edhe ai, e mbiquan të tepërt një mbledhje të posaçme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për kapjen e supertrafikantit.

Veprimi i Katërt. Vetë ministri i Brendshëm Tahiri acarohet me Nishanin dhe i kërkon llogari se përse nuk u thirr Siguria Kombëtare për Lazaratin? Sigurisht nuk është Presidenti Nishani objektivi i Ministrit të Brendshëm, por Ilir Meta, nga ku edhe buron kërkesa dhe mbledhja e ardhshme.

Veprimi i Pestë. Zyra Speciale e informim-dizinformimit pranë qeverisë, ka hartuar një strategji të qartë, për shpërndarjen e fjalës cinike që kryeministri dhe ministri i brendshëm pritet të mbajë në Mbledhjen e posaçme të thirrur nga Presidenti.

Mirëpo duket se Meta e nxorri djallin nga shishja dhe të paktën e largoi publikisht “kopilin” nga dera e shtëpisë së tij politike. Kuptohet jo me deklarata por me një akt politik dhe me një alarm publik për të ngritur shtetin në këmbë për kapjen e Balilit.

Tani qeverisë Rama, pamvarsisht punës së mrekullueshme dhe të lëvdueshme të Zyrës së informim-dizinformimit pranë kryeministrit, jo vetëm ju rrëzua alibia e pëshpëritur “Meta”, porse duhet, në sytë e të gjithëve dhe me raportime të përditësuara, të informojë pa dizinformuar, hapat që janë ndërmarrë dhe që do të ndërmerren për kapjen e supertrafikantit.

Ndërkohë që marrëdhënia acide Meta-Rama po ngjitet edhe njëherë në majën e vet më të lartë. Por kjo është një Çështje tjetër.

Comments