Rivotimi në Tearcë, sot heshtje zgjedhore të dielën rivotohet

127

Në bazë të vendimit të KSHZ-së për rivotim në vendvotimin numër 2011, në Komunën e Tearcës më 25 dhjetor të vitit 2016, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale i informon radiodifuzuesit se prej mbrëmë pas mesnatës ka filluar heshtja zgjedhore e cila do të zgjasë deri të dielën në ora 19:00.

Sipas rregullave të Kodit Zgjedhor, prej mesnatës në kontekst të “heshtjes zgjedhore”, nga hyrja e saj në fuqi, deri në mbylljen e kutive zgjedhore, janë të ndaluara të gjitha format e paraqitjes zgjedhore mediale të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.

Sipas ligjit, gjatë “heshtjes zgjedhore”, mediat nuk guxojnë të shpallin informata, fotografi, audio dhe video materiale lidhur me pjesëmarrësit në zgjedhje. Shkelje e “heshtjes zgjedhore” konsiderohet edhe lajmërimi i hapur apo i fshehur për ndonjë fushatë zgjedhore.

Dënime të larta me para dhe burg parashihet për rastet e shkeljeve të rregullave të procesit zgjedhor. Prej 3 deri më 6 vjet burg do të dënohet personi i cili pengon për të votuar, mbajtje të armës dhe detyrim për votim.

Personi i cili e fotografon votën e tij do të dënohet nga 100 deri më 300 euro. Deri më 500 euro është dënimi nëse mbani simbole në vendvotimin.

Një anëtar i organit i cili punon në kundërshtim me dispozitat e Kodit zgjedhor mund të merr kallëzim kundërvajtës dhe gjobë në vlerë prej një 1.000 deri në 3.000 euro.

Gjoba në vlerë prej 750 deri në 2.250 do të shqiptohet për personin fizik i cili voton për më shumë persona në emër të tjetër kujt. Dënime të mëdha me para Kodi Zgjedhor parasheh edhe për partitë politike dhe për mediat të cilat nuk i përmbahen Kodit Zgjedhor.

Comments