Një pjesë e anëtarëve të PLD-së kërkojnë dorëheqje nga kryetarja e partisë, Monika Zajkova. Ajo u përgjigj se mandati i saj vlen edhe dy vjet. Sipas përfaqësuesve të Bordit të nismave për ndryshime, ata kanë për qëllim që ta kenë mbështetjen edhe të ish liderëve të PLD-së, si dhe akuzuan se me Zajkovën nuk e dinë a janë në pushtet apo opozitë. E pyetur a do të hyjë në koalicion me VMRO-DPMNE-në, Zajkova u përgjigj se qëndrimi partiak është veprim i pavarur, por nuk përjashtohet koalicioni në të ardhmen.
“Udhëheqësia e partisë pa turp dhe pa vendim në Kuvend po i afrohet partisë në pushtet vetëm për plotësimin e interesave personale të individëve nga udhëheqësia më e ngushtë, kështu që organizatat komunale janë në huti – a është PLD në opozitë apo pushtet?”, tha Boban Bojkovski, PLD-Kumanovë.
“Çdoherë duhet të jemi të përgatitur para së gjithash për veprim të pavarur, ndërsa normalisht nëse në bisedime të caktuara dhe diskutime vlerësohet se duhet të ketë veprim në koalicion dhe si do të jetë kjo gjë, do të vendosin organet dhe trupat e partisë, jo udhëheqësia”, shtoi Monika Zajkova, kryetare e PLD-së.
Zajkova thotë se ka edhe kërcënime dhe shantazhe që vijnë nga personat që mbrojnë interesat personale. Pa theksuar emra tha se sulmet vijnë nga anëtarë që tanimë kanë humbur privilegjet shtetërore. Zajkova porositi se nuk do të lëshojë pe dhe nuk do ta ndryshojë qëllimin për Ligjin për provizionet bankare, ashtu siç i ka qëndruar besnik qëndrimit për Ligjin për lojërat e fatit.
“Nëse nuk thirret Kongres, në përputhje me statutin, atëherë këto organizata komunale do të mbajnë kongres”, shtoi Boban Bojkovski, PLD-Kumanovë.
“Shumica e pranishme, mund t’i pyetni edhe ata, ishin edhe të paguar që të marrin pjesë, si dhe ka edhe anëtarë që nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me PLD-në ose së paku unë dhe Bordi ekzekutiv nuk i njohim”, tha Monika Zajkova, kryetare e PLD-së.
Zajkova shtoi se ka transkript dhe prova për kërcënimet dhe shantazhet ndaj saj të cilat në të ardhmen mund t’i publikojë./tv21