RRËNIE DRASTIKE E ARSIMIT NË MAQEDONI PËR NJË VIT, 4300 NXËNËS MË PAK

363
fresco

Nëse në vitin shkollor 2015/2016, në vit të parë numëroheshin 20 096 nxënës të shpërndarë në 868 paralele, sivjet (2016/2017) në klasë të parë janë vetëm 15 794 nxënës, të shpërndarë në 851 paralele. Edhe pse ulja është lineare në të gjitha paralelet pavarësisht gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi, humbja më e madhe në sasi është shënuar te maqedonasit dhe pastaj te shqiptarët

Shkollat e mesme në Maqedoni kanë ndjerë këtë vit shkollor një rënie të fuqishme në numrin e nxënësve të regjistruar për herë të parë, shkruan gazeta KOHA. Në nivel shteti, sipas të dhënave zyrtare që janë raportuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) për situatën me numrin e nxënësve nëpër shkollat e mesme, këtë vit del se kemi 4 302 nxënës më pak se sa kishte një vit më parë. Pra, nëse në vitin shkollor 2015/2016, në vit të parë numëroheshin 20.096 nxënës të shpërndarë në 868 paralele, sivjet (2016/2017) në klasë të parë janë vetëm 15.794 nxënës, të shpërndarë në 851 paralele. Edhe pse humbja është lineare në të gjitha paralelet, pavarësisht gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi, humbja më e madhe në sasi është shënuar te maqedonasit dhe shqiptarët. Të parët kanë thuajse 22 për qind më pak nxënës të vitit të parë se sa kishin vitin e shkuar, kurse shqiptarët 20 për qind.

Nëse vjet (2015/2016) në vit të parë në të gjitha shkollat e mesme në paralelet maqedonase ishin 13.763 nxënës, sivjet (2016/2017) po në vit të parë janë 10.773 nxënës apo 2990 më pak. Po kaq dramatike është rënia edhe te shqiptarë, të cilët sivjet kanë 20 për qind më pak nxënës në vit të parë. Pra, nga 5986 nxënës në vitin shkollor 2015/2016, këtë vit kanë 4752 nxënës, ose 1234 më pak. Ende më shumë kanë rënë turqit, mbi 22 për qind. Nga 374 një vit më parë, sivjet kanë 296 nxënës, apo 74 më pak. Numri i nxënësve, sipas paraleleve, jep një orientim të përgjithshëm edhe në çështjen e pjesëmarrësve të nxënësve sipas përkatësisë etnike, por jo edhe krejtësisht të saktë, pasi ka shumë raste kur edhe shqiptarët për arsye të ndryshme mësojnë në gjuhë maqedonase, pa folur pastaj për romët, boshnjakët, turqit dhe të tjerët. Por edhe përkundër kësaj, përqindja e nxënësve shqiptarë në kuadër të paraleleve të vitit të parë është mbi 30 për qind. Në vitin e parë, pjesa dërmuese janë nxënës që regjistrojnë për herë të parë në arsimin e mesme. Brenda kësaj mase nxënësish, edhe mund të këtë të tillë që kanë përsëritur vitin, pra që mund ta kenë regjistruar vitin e parë (2016/2017) për herë të dytë ose të tretë por numri i tyre është shumë i vogël ose përqindje e papërfillshme.

Rënia e numrit të nxënësve në vitin e parë të shkollave (nga viti shkollor 2015/206 deri në vitin shkollor 2016/2017), sigurisht që ka ndikuar edhe në numrin e përgjithshëm të nxënësve për katër vite të arsimit të mesëm. Për pasojë, shkruan KOHA, në shkollat e mesme sivjet kemi 72.704 nxënës gjithsej, ndërsa vjet kishim 78.594 nxënës. Në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase, dallimi është 54.013 nxënës vjet dhe 51.609 sivjet. Në paralelet shqipe kemi 23.071 nxënës vjet dhe 19.733 sivjet, ndërsa në paralelet me mësim në gjuhën turke 1510 vjet dhe 1362 sivjet.

Në shkollat fillore, kemi një situatë krejt të ndryshme. Në të njëjtën periudhë kohore, pra nga viti shkollor 2015/2016 në 2016/2017 numri i nxënësve të klasës së parë është rritur 100, ndërsa bie në sy rritje prej 3 mijë nxënës më shumë në numrin total të nxënësve nga kasa e parë deri të nëntën. Kështu, MASH ka raportuar se vitin që shkoi (2015/2016) në të gjitha shkollat fillore të Maqedonisë, nga klasa e parë deri klasën e nëntë numëroheshin 186.375 nxënës. Prej tyre në klasë të parë ishin 21 803 nxënës, kurse këtë vit shkollor (2016/2017) në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës thonë se numri i përgjithshëm është 190.158 nxënës, prej të cilëve 22.799 në klasë të parë.

Comments