Rrethi i parë me parregullsi – Prokuroria heton ryshfet dhe shkelje në rrjete sociale

94
fresco

Prokuroritë publike në Maqedoninë e Veriut gjatë gjithë ditës kanë ndjekur intensivisht procesin zgjedhor dhe të gjitha raportimet me indikacione të mundshme për vepra penale të kryera në lidhje me zgjedhjet, njofton prokuroria, transmeton Portalb.mk.

Deklarata e plotë e prokurorit Xhelal Bajrami:

Në përgjithësi, numri i informacioneve të tilla që sugjerojnë dyshime për kryerje të veprave penale është i vogël në të gjithë vendin, dhe prokuroritë tashmë po ndërmarrin veprime për hetimin e tyre të plotë.

Në territorin e Prokurorisë së Lartë Publike Shkup janë evidentuar këto ngjarje:

P.P. Kumanovë po vepron për verifikimin e dy rasteve të veçanta për ndikim telefonik ndaj votuesve në Kumanovë dhe Kratovë.

P.P. Veles po ndërmerr veprime për hetimin e pretendimeve për ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, kundër dy personave në fshatin Sogëll, Komuna e Çashkës.

P.P. Kriva Pallankë gjithashtu po heton pretendimet për ryshfet ndaj votuesve.

P.P. Shkup është njoftuar nga MPB për dy persona të ndaluar në një vendvotim në Komunën e Çairit, të cilët kanë refuzuar të legjitimohen, si dhe për 2 raste të fotografimit të fletëvotimit në Gazi Babë, e cila në thelb është kundërvajtje.

Në territorin e P.L.P. Manastir, lidhur me pretendimet për ryshfet në zgjedhje, po vepron P.P. Prilep për një ngjarje në Krushevë dhe P.P. Ohër për një ngjarje në Ohër, ku tre persona në një automjet, sipas informacioneve operative të MPB-së, janë ndaluar dhe në automjet janë gjetur kartëmonedha prej 2.000 denarësh dhe lista të pretenduara të votuesve. Me urdhër të prokurorit publik, po hetohen të gjitha rrethanat e rasteve.

Në territorin e P.L.P. Shtip, nuk janë pranuar njoftime me shkrim për vepra penale të lidhura me zgjedhjet. Pas një njoftimi verbal për ryshfet të supozuar ndaj votuesve, po vepron P.P. Sveti Nikollë, ndërsa P.P. Shtip dhe P.P. Koçani kanë vepruar pas indikacioneve për ryshfet dhe presion ndaj votuesve, por pretendimet janë kontrolluar dhe nuk janë konfirmuar.

Në territorin e P.L.P. Gostivar, P.P. Tetovë dhe P.P. Kërçovë, pas informacioneve të publikuara në media, kanë hapur lëndë me nismë dhe po hetojnë shkelje të mundshme të heshtjes zgjedhore në Kërçovë dhe në Zhelinë. Gjithashtu, P.P. Kërçovë po vepron edhe pas një informacioni për parregullsi gjatë votimit të një personi të sëmurë dhe të pafuqishëm në Makedonski Brod. Në P.P. Tetovë është regjistruar një lëndë edhe kundër kryerësit të panjohur të veprës penale shkelje e fshehtësisë së votimit, pasi një fotografi e fletëvotimit është shfaqur në rrjetet sociale.

Bëhet fjalë për ngjarje të izoluara, dhe prokuroritë po i japin përparësi zbardhjes së tyre urgjente.

Comments