Rritet numri i qytetarëve që ankohen për sulmet e qenve endacakë. Të dhënat e MPB-së tregojnë se vetëm gjatë 13 ditëve të para të këtij viti, rreth 19 qytetarë janë sulmuar dhe kafshuar nga qentë endacakë në kryeqytet dhe kanë denoncuar rastin.
Nga këto denoncime, 6 kanë ndodhur në territorin e Komunës së Karposhit, 3 në Aerodrom dhe 3 në Komunën e Kisella Vodës.
Një pjesë e qytetarëve thonë se tashmë lëvizin me frikë për disa ditë me radhë, veçanërisht në orët e mbrëmjes. Edhe pse në vend ekziston një kornizë ligjore, shumica e qytetarëve nuk e dinë saktësisht se cilat hapa duhet të ndërmarrin në raste të tilla.
“Mendoj se duhet të denoncohet në Qytetin e Shkupit, më tepër nuk di.”, – tha një qytetare.
“Një ditë kur po shëtisja qenin tim shtëpiak, mu afruan një grup i madh qensh për të më sulmuar, mirëpo për fat të mirë një qytetar erdhi nga unë dhe më mbrojti.”, – tha një qytetare tjetër.
“Unë nuk e di se nga i sjellin këta qen dhe kush i sjell, por e di se njerëzit po frikësohen nga qentë endacakë.”, – u shpreh një qytetare.
Njohësit e kësaj çështjeje, si dhe përfaqësuesit e OJQ-së, vlerësojnë se kjo gjendje mund të tejkalohet vetëm përmes çipimit të qenve, ku çdo qen shtëpiak do të çipohet dhe në atë çip do të jenë të shënuar të dhënat, pra, emri dhe mbiemri i pronarit që e mban. Nëse qeni largohet nga pronari ose i njëjti braktiset nga pronari, ky i fundit të mbajë përgjegjësi për pasojat.
Për më tepër, theksohet rëndësia e rritjes së numrit të inspektorëve komunalë në terren për kapjen dhe strehimin e qenve endacakë nëpër komuna.

