Edison Ypi
Rruga e Fijes nuk është e bukur, e gjatë, e shkurtër, e gjerë, e ngushtë. Rrugën e Fijes që nis në Tiranë e mbaron në Vaksincë nuk e kap asnjë definicion, nuk e rrok asnjë figuracion. Fija dhe Rruga e Fijes japin e marrin me njëri-tjetrin në një marrëdhënie sublime gjithashtu të padefinueshme. Fija udhëton mbi atë rrugë por nuk e sheh. Fija atë rrugë e di por nuk e njeh. Rruga e Fijes ka fillim por nuk ka mbarim, ka mbarim por nuk ka fillim, ka fillim dhe mbarim por nuk ka mes, ka mes por nuk ka as fillim as mbarim. Rruga e Fijes që është si Drini i Zi që kalon “mespërmes për Shqipëri” me mbi 700 kilometrat nga Tirana në Vaksincë dhe kthim nuk mund të bëhen ndryshe veçse si i bëra unë; me një frymë për 16 orë pa u ndalur kurrkund. Se Rruga e Fijes nuk është si rakia, të cilën, për t’a provuar mjafton një gllënkë. Rruga e Fijes është një oqean me verë që po nuk e pive të gjithin nuk të bën asnjë efekt. Kur Fija udhëton mbi Rrugën e Fijes, nuk e di ku ndodhet, nuk e di ku po kalon, a po vjen, a po shkon, a po ndal. Sapo zbret nga Qafë Thana në Strugë sheh një tabele ku shkruhet; “Shes Arën”. Bujku shqiptar i maqedonisë shet “arën” e vet modeste. Bujku shqiptar i Shqipërisë mbi tabelë shkruan “Shes tokën”, domethënë shet krejt planetin. Pasi merr rrugën e Shkupit, anës rrugës, me drejtim kah perëndimi, ku ka vetëm fshatra dhe vise shqiptare, një tabelë e shkruar bullgarisht të njofton se në atë drejtim nuk ndodhen ata që ndodhen prejkur ekziston bota, pra Korabi dhe Jabllanica, por, sipas tabelës, hiç më pak se; “Malet Sllave”. O shka, o kokëderra, o kokbosha, o kokmuta; Provoni t’i quani edhe Uralet Gramoz, Ukrainën Myzeqe, Kamçatkën Karaburun, të shohim sa sukses do keni.
Shtëpitë, oborret, arat, rrugët, dyqanet, minimarketet, sjellja e njerëzve, dhe gjithçka tjetër dëshmojnë se jeta maqedone, ka ngecur në një lloj begatie titiste të viteve ’80, aq të lakmueshme prej Shqipërisë Perëndimore aso kohe. Në këtë pikëpamje, sot Shqipëria është disa herë më lart.
Nga Shkupi deri në Kumanovë e deri në Vaksincë peisazhi është me kodra të buta të rrudhura si tru.
Vaksincë, është fshati më i bukur në Botë.
Tek i afrohesh Vaksincës, fshatit magjik që sheh nga e mistershmja Lindja, nuk të vete mëndja për gjëra të vogla, për shembull të shpresosh se ndonjë i njohur do të thërresi në celular, por për gjëra shumë më të larta, për luftra që janë bërë ose do bëhen, për heronj, për lavdi kombëtare.
Vaksinca, rrëzë një mali të zhveshur, ka rreth 1 mijë shtëpi. Shtëpitë janë të gjitha të mëdha, me oborre të rrethuara me mure. Xhami e madhe me dy kazana. Pranë Xhamisë, bibliotekë. Biblioteka e Vaksincës është vizituar nga goxha emra; Kim Mehmeti, Ali Aliu, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu.
Trimat vaksincalinj nuk e durojnë dot zgjedhën. Ata gjakun e kanë tek flamuri, zemrën tek shkaba. Më 2001 në Vaksincë u bë luftë. Krejt televizionet e botes folën për Vaksincën kur helikopterët e shkaut si korba të zinj fluturuan mbi Vaksincë.
Në sheshin e fshatit ngrihet madhështor monumenti në kujtim të “Tigrit”, Komandantit Fadil Nimani, rënë këtu për Liri, për Atdhe.
Shkolla është rindërtuar me ndihmë niponike. Në oborrin e shkollës luajnë vaksincalinjtë e vegjël, moshatarët e urtë të shkollave tona fillore që po u hyre në oborrin e shkollës të turren si maçokë.
Kroin e fshatit e ka ndrequr një emigrant vaksincali.
Nga Vaksinca drejt fushës në lindje mundesh me pa vetëm gjëra madhështore;
Atë yrtin e shkretë ku Makbethit i dolën magjistricat.
Urën me tre harqe nga kalonin ngarkuar karvanët drejt Stambollit dhe Venecias.
Kryqtarë mbi kuaj me heshta dhe parzmore.
Borodinon ku u kry lufta e famëshme dhe u mund Napoleoni.
Lëndinat mbi të cilat nga dritarja flakte trishtimin Madam Bovaria.
Liqerin që frymoi Lasgushin.
Korijet e mardhura mbi të cilat Balzaku iku nëpër dimër drejt dashurisë së rrejshme.
Grykat e maleve ku rendnin duke lënë pas pluhur karrocat e Kadaresë që shpinin në Stamboll koka të prera në arka me akull.
Po të vësh vesh mund të dëgjosh buçimat e Beethovenit ose ëmbëlsitë e Mozartit a të Shopenit me pllanga gjaku mbi tasierë.
Në Vaksincën magjike të kohës së pafundme dhe të ndalur nuk është çudi të dëgjosh dikend që i thotë dikujt tjetër; Për çfarë më pyete pasnesër do të përgjigjem dje.
Fija thotë se sa kohë Tiranë-Vaksincë, pra Rruga e Fijes, nuk është e tëra Shqipëri nuk i intereson të udhëtojë nëpër botë as me vizë as pa vizë. Pra deri atëhere, për Fijen, Rruga e Fijes nuk është Rruga e Fijes por Rruga e hijes, Rruga e hijes së Fijes, Rruga e hijes së hijes.
Gjatë kthimit bie një rrebesh i dendur që mbulon makinën dhe gjithçka. Nuk kuptoj nëse po udhëtoj unë apo Rruga e Fijes, në Vaksincë isha a s’isha, u sëmura a s’u sëmura. Krishti ynë i heshtur, Muhamedi ynë i duruar Fija, është Poeti Hamzi Nevzadi.