Ruajeni durimin dhe kulturën politike, jeta është rrotull!
Në ditët e fundit, opinioni publik po ndjek me shqetësim mënyrën se si disa eksponentë të VMRO-së kanë zgjedhur të sulmojnë krerët e opozitës shqiptare. Fushata e tyre e baltosjes ka kaluar çdo kufi të etikës politike: filluan me Arbenin, nuk lanë pa përmendur Aliun, vazhduan me Ziadinin, ndërsa së fundmi po përdoren edhe kontrolle policore si mjet presioni dhe frike.
Kjo sjellje nuk i shërben askujt, as demokracisë, as bashkëjetesës ndëretnike, as imazhit të vetë qeverisë. Në vend që të përqendrohen në zgjidhje dhe bashkëpunim, po prodhohet tension dhe përçarje.
Është koha të ruhet durimi, qetësia dhe kultura politike. Askush nuk duhet të harrojë se jeta politike është rrotull, sot je në pushtet, nesër mund të jesh në opozitë. Përulja, shpifja dhe shantazhi ndaj kundërshtarëve politikë nuk ndërtojnë as respekt, as stabilitet.
Në një vend të vogël si yni, çdo veprim, çdo fjalë dhe çdo qëndrim mbeten në kujtesën kolektive. Ndaj, përgjegjësia politike duhet të shoqërohet me maturi, dinjitet dhe respekt për tjetrin. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një skenë politike të shëndoshë dhe një të ardhme më të qetë për të gjithë.
P.S.
Adnani, hoxha nga Llarca, duket se dëshiron që edhe në komunat ku nuk u arrit cenzusi, rezultatet të kthehen në favor të Mickovskit, edhe pse raporti ishte i qartë, 6 me 1 në të mirë të shqiptarëve.
E pikërisht ai, që pas një fitore të vogël thërriste për “pajtim kombëtar”, sot përpiqet të minojë vullnetin politik të bashkëkombësve të vet. Një hipokrizi e tillë e bën të humbasë peshën morale që duhet të ketë çdo figurë publike, aq më tepër kur flet në emër të fesë dhe pajtimit.

