Rumani: Një myslimane nominohet për kryeministre

Socialdemokratët e Rumanisë e kanë nominuar një femër myslimane për kryeministre të re të këtij vendi.
Liviu Dragnea, lider i Partisë Social Demokrate (PSD), tha sot se kandidate e kësaj partie për kryeministre do të jetë ish-ministrja e zhvillimit rajonal, Sevil Shhaideh.

Ky nominim duhet të miratohet nga presidenti i Rumanisë, Klaus Iohanis, dhe nga parlamenti, ku PSD-ja e ka shumicën, pas fitores bindëse në zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit.
Sevil Shhaideh, 52 vjeçare, do të ishte femra e parë dhe myslimani e parë kryeministre në këtë vend, që është i banuar me popullatë shumicë të krishterë, ndërsa më pak se 1% e popullatës janë myslimanë.
Lideri partiak, Liviu Dragnea, tha pas shpalljes së emrit të së nominuares për kryeministre, se tash për tash, ai vetë nuk mund të shërbej në postin e kryeministrit, për shkak të “një dënimi të padrejtë dhe ligjit thellësisht jokushtetues”.
Dragnea, aktualisht, është i dënuar me dy vjet burg me kusht për vjedhje zgjedhore.