Rushiti:Do të protestojmë, me 3 mijë euro nuk ndërtohet shtëpia (VIDEO)
Lagjja Kamenik në Hasanbg të Shkupit ishte pjesa më e goditur nga vërshimet e 6 gushtit të këtij viti. Shtëpia e kryefamiljarit, Jonuz Rushiti dhe pesë vëllezërve të tij ishin të shkatërruara, dhe pa kushte për jetesë. Shtëpitë e tyre nga përmbytjet ishin goditur nga të dyja anët e rrugëve, duke mos u lënë asgjë.
Përveç kushteve të rënda ekonomike, në këtë familje kishin djalin e sëmurë nga zemra, i cili ishte operuar para ca kohësh. Por jo vetëm ky, edhe një vajzë e vëllait të Jonuzit gjithashtu ishte operuar nga zemra. Ndërsa, zonja e kryefamiljarit Jonuz Rushiti vuante nga disa sëmundje. Ajo kishte qenë te mjeku, por ilaçet që ia kishin dhënë do t’i harxhonte brenda ditës.
Rushiti rrëfen për “Lajm” ditën e trishtueshme të gjashtë gushtit.
“Shiu filloi. Nuk e pritëm se do të bie rrëmbyeshëm. Para se të ndodh përmbytja ishim duke qëndruar me familjen në shtëpi dhe papritmas uji na mori me vete. Vëllai dhe e gjithë familja u munduan të ikim nga dritarja, por pas një kohe uji i madh na e shembi edhe dritaren. Pastaj u munduam që të hipim mbi shtëpi. Fëmijët uji për një moment i mbuloi, por për fat tonin të mirë i ngritëm shpejt e shpejt në tavan. Shiu filloi fuqishëm dhe zgjati më shumë se gjysmë ore, kurse rrebeshi ndodhi për 5 minuta. Fëmijët u trishtuan, filluan të qajnë, por unë i qetësova disi. Nëse ka bërë zoti emër për të shpëtuar ne do shpëtojmë, thash me vete. Uji mori gjithçka:kafshë, vetura, njerëz dhe e bëri rrafsh. Si pasojë e vërshimeve u lëndua edhe djali im, i cili është edhe i sëmurë nga zemra”, tregon Rushiti.
Ata vetëm ditën qëndrojnë aty, ndërsa natën e kalojnë në një konvikt studentor, pasi kushte për jetë nuk kanë.
“Nuk kemi as ku të ulemi. Ditën rrimë këtu, kurse natën shkojmë në konvikt studentor. Jetë në këto shtëpi nuk ka. Kur erdhën për të pastruar disa njerëz dhe kur e panë gjendjen e shtëpisë ikën. Na thanë se kjo duhet të ndërtohet nga fillimi. Shtëpisë i kanë ngelur vetëm muret, të gjitha orenditë dhe teknika e bardhë është shkatërruar”, shton ai.
Këto familje kanë nevojë për ndihmë urgjente. Asnjë i punësuar, ndërsa jetojnë me ndihma sociale.
Ata pohojnë se nëse shteti nuk interesohet për ta do të jenë të detyruar edhe të protestojnë.
“Me të hollat që kanë thënë se do të na ndahen s’mund të bëjmë asgjë. As bazamentin e shtëpisë s’mund ta kryejmë. Deri tani kemi marrë ndihmë vetëm në ushqim dhe veshmbathje. Ndoshta dikush do të na ndihmoj ta ndërtojmë edhe shtëpinë tonë. Kjo shtëpi ishte pasuria e tre fëmijëve vëllait tim, pasi ne jetonim bashkë. Nëse nuk na ndihmojnë institucionet e kemi patjetër të protestojmë”, shprehet i mërzitur kryefamiljari Jonuz Rushiti.(ekipi i gazetës “Lajm”).